Në aktivitet morën pjesë përfaqësues nga disa vende të Ballkanit, përfshirë Malin e Zi, Kosovën, Bosnje Hercegovinën, Serbinë dhe Shqipërinë. Delegacioni shqiptar, i përbërë nga ekspertë të AKU dhe AKVMB, kontribuoi me eksperiencën e tyre teknike dhe prezantoi qasjet që po aplikohen në vend për monitorimin dhe parandalimin e përhapjes së sëmundjeve bakteriale.

Gjatë takimit u trajtuan tema të rëndësishme, si: metodat moderne të parandalimit dhe kontrollit të “Xylella Fastidiosa”; legjislacioni dhe rregulloret e Bashkimit Evropian për mbrojtjen e bimëve; gjendja aktuale e dëmtuesit, përfshirë bartësit, simptomat, shpërndarjen dhe epidemiologjinë; zhvillimet e fundit shkencore dhe teknologjike në fushën e fitopatologjisë; aplikimi i praktikave të reja në terren dhe rezultatet e arritura nga vendet pjesëmarrëse; fushatat e ndërgjegjësimit dhe komunikimit për fermerët dhe komunitetet bujqësore.

Pjesëmarrja e ekspertëve shqiptarë në këtë takim shënon një hap të rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve profesionale dhe rritjen e përputhshmërisë së standardeve me ato të Bashkimit Evropian në fushën e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së bimëve.

Ky bashkëpunim rajonal pritet të sjellë përfitime të drejtpërdrejta edhe në menaxhimin e rreziqeve fitosanitare në Shqipëri, duke ndihmuar në ruajtjen e prodhimit vendas dhe garantimin e cilësisë së tij.