Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT) nëpërmjet inspektimeve të vazhdueshme dhe të rregullta në treg, të shoqëruara nga fushata sensibilizuese, garanton sigurinë e produkteve për konsumatorët, të vendosura në treg dhe në shërbim apo në përdorim, ashtu sikurse dhe respektimin e të drejtave të pronësisë intelektuale. Inspektorët e ISHMT-së kanë realizuar përgjatë javës së shkuar 88 inspektime për mbrojtjen e konsumatorit; sigurinë e produkteve elektrike; sigurinë e ashensorëve në përdorim; sigurinë e produkteve tekstile; parapaketimet dhe instrumentet matëse; respektimin e pronësisë intelektuale; dhe sigurimin e zbatimit të V.K.M për ndalimin e qeseve plastike mbajtëse nën parametrat dhe dimensionet që parashikon ligji. Për sigurinë e ashensorëve, trupat inspektuese të ISHMT-së kryen gjatë javës së shkuar 5 inspektime. Për të siguruar se në treg po ofrohen lodra të sigurta për fëmijët janë realizuar gjatë kësaj disa inspektime. Për metrologjinë u kryen 23 inspektime në operatorë të ndryshëm ekonomik me objekt kontrollin e parapaketimeve dhe instrumenteve matëse në përdorim. Ndërsa për sigurinë e produkteve elektrike u kryen 10 inspektime të planifikuara, mbi zbatimin e kërkesave ligjore. Përgjatë javës së shkuar u kryen edhe 8 inspektime të planifikuara në fushën e mbrojtjes së konsumatorit dhe veshjeve të këmbës. Inspektorët e ISHMT-së kryen po ashtu, 6 inspektime për lejen apo autorizimin nga autori apo mbajtësi i së drejtës mbi riprodhimin dhe shpërndarjen në zbatim të ligjit “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, dhe 13 inspektime për të siguruar zbatimin e ligjit për mbrojtjen e pronësisë industriale. Edhe kontrollet për zbatimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për ndalimin e qeseve plastike mbajtëse nën parametrat dhe dimensionet që parashikon ligji, si dhe për ndalimin e qeseve oxo-biodegradueshme dhe oxodegradueshme kanë vijuar në shumë operatorë ekonomikë. Sipas ISHMT-së, informimi i konsumatorëve mbi të drejtat e tyre për të disponuar produkte, pajisje, instalime të sigurta dhe informimi i operatorëve ekonomikë, për të respektuar kërkesat ligjore të përcaktuara në legjislacionin aktual, për të ofruar në treg produkte të sigurta si dhe për respektimin e të drejtave të pronësisë intelektuale mbetet sfidë e përditshme. Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut u ngrit me vendim të Këshillit të Ministrave në vitin 2016 dhe është përgjegjës për inspektimin e sigurisë së produkteve jo ushqimore për përdorim nga konsumatorët dhe për zbatimin e të drejtave të pronësisë intelektuale në tregun e brendshëm të Republikës së Shqipërisë.