Tatuazhet elektronike duken si njolla të vogla që duhen aplikuar në ballë dhe fytyrë, janë të përkohshme dhe qarqet e tyre duken si dekorime gjeometrike, por ato tregojnë se kur truri i nënshtrohet stresit të lartë.
Kjo teknologji mund të jetë e dobishme, për shembull, për të monitoruar ngarkesën mendore të punëtorëve si kontrollorët e trafikut ajror dhe shoferët e kamionëve, mungesa e përqendrimit të të cilëve mund të ketë pasoja serioze, por edhe për të kuptuar më mirë ndërveprimin njeri-makinë.
Të përshkruara në revistën ”Device”, ato u zhvilluan nga Nanshu Lu, i Universitetit të Teksasit në Austin (UT Austin) dhe funksionojnë duke deshifruar valët e trurit.
“Ekziston një ngarkesë optimale mendore për performancë optimale, e cila ndryshon nga personi në person”, vëren Nanshu Lu.
Tatuazhet elektronike kryejnë një funksion të ngjashëm me elektroencefalogramin dhe elektrookulogramin, por pa kërkuar kufje ose tela.
Në fakt, ato përbëhen nga një bateri e lehtë dhe sensorë shumë të hollë që mund të shtrihen dhe të përshtaten me lëkurën.
“Ne masim tiparet e fytyrës së pjesëmarrësve për të krijuar tatuazhe elektronike të personalizuara, duke siguruar që sensorët të jenë gjithmonë në pozicionin e duhur dhe të marrin sinjale”, shkruajnë studiuesit.
Testet, të kryera mbi gjashtë vullnetarë, tregojnë se kur pajisja zbulon aktivitet të shtuar në valët e trurit teta dhe delta, kjo tregon aktivitet të mirë njohës, ndërsa aktiviteti i ulët alfa dhe beta është një tregues i lodhjes mendore.
Konfirmim i mëtejshëm i aftësisë së tatuazheve për të zbuluar stresin mendor erdhi edhe nga rezultatet e ofruara nga një model kompjuterik.
Sa i përket kostove, çipi dhe bateria e tatuazhit elektronik kushtuan 200 dollarë dhe sensorët e disponueshëm rreth 20 dollarë secili, krahasuar me më shumë se 15 000 dollarë për pajisjen EEG.
Hapi tjetër do të jetë kombinimi i tatuazheve me bojë elektronike që është aktive në flokë, në mënyrë që të zbulohet një grup i plotë sinjalesh