Disa prindër, kur dëgjojnë fëmijët e tyre që qajnë, bërtasin dhe insistojnë që t’u plotësohen kërkesat e tyre, nënshtrohen. Por kjo nuk është zgjidhja e duhur, pasi kjo do ta fiksojë edhe më shumë këtë sjellje të fëmijës tuaj. Shkencëtarët e shpjegojnë këtë sjellje të fëmijëve si një tregues inteligjence. Fëmija përpiqet të imponohet për të realizuar dëshirat dhe kërkesat e veta. Prindërit duhet ta marrin me qetësi dhe të mos plotësojnë kërkesën e fëmijës pse qan apo bërtet. Duhet t’i japin të drejtë që mërzitet, por zgjidhja duhet të ndodhë pasi fëmija të pushojë të qarën apo të bërtiturën. Prindërit duhet t’i thonë: mbaro të qarën dhe më pas flasim për të gjetur zgjidhje. Kur fëmija pushon dhe kërkesa është e plotësueshme, plotësojani duke i thënë e shikon, gjërat zgjidhen me fjalë dhe jo me të qarë. Prindër, mos u turpëroni kur skenat ndodhin në rrugë, por ruani qetësinë dhe përsëritni shprehjen:- mbaro të qarën, unë jam këtu me ty, nuk je vetëm, përpiqu ta qetësosh veten siç e bëre dje. Ose pasi pushon, përgëzojeni duke i thënë, se radhën e shkuar t’u desh më shumë kohë për të qetësuar veten dhe të pushoje së bërtituri. E shikon që po e mëson edhe këtë mundësi që ke për të qetësuar ti vetë veten tënde. Tek e fundit i rrituri prandaj është pranë fëmijës që ta ndihmojë të arrij vetëqetësimin ashtu siç e ka nxitur të ecë, të flasë po ashtu po i mëson të vetëqetësohet. Kështu i mëson fëmijës të mendojë e të zgjedhë e të gjejë forcat e veta për t’ia dalë. Edhe një gjë të fundit, mos lejoni të huajt të ndërhyjnë në këtë proces ndërgjegjësimi dhe zhvillimi të fëmijës për veten, qofshin këta edhe gjyshërit. Prindërit duhet të jenë të vetëdijshëm, se vërtet e rrisin ata fëmijën, por po aq e vërtetë është, që fëmija çdo gjë e bën vetë, e përballon vetë, e mëson vetë. Dhe prindërit duhet ta vlerësojnë dhe mos ta anashkalojnë këtë të vërtetë. Përpjekjet që fëmija bën për të ekzistuar dhe integruar në jetën njerëzore janë tejet të mëdha dhe natyrisht i duhet i rrituri për t’u mbështetur, për të kuptuar që nuk është vetëm që ka një njeri si dëshmitar që ai ia del, që e nxit që të mësojë dhe me qetësi i ofron edhe një model sesi të jetë. Për fat të keq, të rriturit shpesh janë indiferentë ndaj përpjekjeve të fëmijës. Mos harroni shprehjet “ku merr vesh ky”, “këta janë rehat nuk kanë halle se i kemi ne të rriturit” e me radhë nga këto shprehje të pamenduara. Kjo mënyrë tregon, ta shohësh fëmijën jo njeri, por thjesht një gjë e vogël. Fëmija është më të shumtën e kohës, një objekt kënaqësie apo bezdie, se sa përgjegjësi dhe mision që tek e fundit, vetë e kanë zgjedhur. Të rriturit sjelljet e fëmijëve më shumë i paragjykojnë sesa i njohin dhe i kuptojnë. Më të shumtën i ndëshkojnë fëmijët, në vend që t’ua lehtësojnë konfuzionin dhe vështirësitë që përjetojnë në këtë fazë të jetës.
Si duhet të sillemi me fëmijët të cilët i kërkojnë gjërat me të qarë
RELATED ARTICLES