Ekspertët thonë se marrëveshja tregtare e presidentit amerikan, Donald Trump me Bashkimin Evropian mund të shkaktojë çmime më të larta për barnat e markave të njohura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – duke përfshirë barnat më të suksesshme si “Ozempic” dhe “Wegovy”, sipas “NBC News”.

Produktet farmaceutike janë importi i pestë më i madh i Shteteve të Bashkuara, tha Dr. Aaron Kesselheim, një profesor i mjekësisë në Shkollën Mjekësore të Harvardit.

Evropa është një qendër e madhe prodhimi për ilaçet me emër të markave në veçanti.

Pothuajse gjysma e përbërësve aktivë për ilaçet me emër të markave që merren në Shtetet e Bashkuara prodhohen në vende evropiane si Irlanda, Gjermania, Italia dhe Belgjika, tha Kesselheim.

Evropa është gjithashtu vendi ku shumë prodhues ilaçesh bëjnë hapat e fundit, siç janë mbushja dhe paketimi.

Barnat e “Novo Nordisk” për diabetin dhe obezitetin, “Ozempic” dhe “Wegovy” prodhohen të dyja në Danimarkë.

“Botox”, i prodhuar nga “Allergen”, dhe ilaçi kundër kancerit “Keytruda” nga prodhuesi i barnavr “Merck” prodhohen në Irlandë. (Megjithatë, vitet e fundit, shumica e prodhimit të Keytruda është zhvendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës).

Ndërsa barnat me emër të markave përbëjnë vetëm rreth 10% të recetave të lëshuara në SHBA – përbëjnë rreth 80% të të gjitha shpenzimeve për ilaçet.

Kjo për shkak se çmimet e tyre janë shumë të larta.

Çdo statinë [gjenerike] individuale kushton vetëm disa qindarka, ndërsa “Botox” kushton mijëra deri në dhjetëra mijëra dollarë.

“Në afat të shkurtër, kompanitë farmaceutike mund të rrisin çmimet e këtyre produkteve për të llogaritur koston më të lartë”, tha Rena Conti, një profesoreshë e asociuar në Shkollën e Biznesit Questrom të Universitetit të Bostonit.

“Konsumatorët amerikanë do të paguajnë më shumë për këto ilaçe”, tha Conti.

“Ajo që pacientët paguajnë në farmaci pasqyron listën e çmimeve të përcaktuara nga kompanitë farmaceutike.

Marrëveshja tregtare, e njoftuar të dielën, vendos një tarifë prej 15% për shumicën e mallrave të importuara nga BE-ja, duke përfshirë edhe produktet farmaceutike.

Ndërsa kjo është shumë më poshtë tarifave prej 200% që Trump kishte kërcënuar për importet farmaceutike në fillim të këtij muaji, ajo do të ketë ende një ndikim.