Shumica e qytetarëve në Gjermani vazhdojnë të mbështesin mbajtjen e detyrueshme të maskës në mjetet e transportit publik, bëhet e ditur sipas rezultateve të një anketimi, ndërkohë që qeveria po diskuton një projekt ligj për rivendosjen e kësaj mase në përpjekje për të përballuar pandeminë e koronavirusit gjatë vjeshtës dhe dimrit. Sipas sondazhit të porositur nga agjencia gjermane e lajmeve DPA dhe i realizuar nga instituti “YouGov”, rreth 63% e të anketuarve mbështesin rregullin e maskës së detyrueshme në mjetet e transportit publik. Afro 58% e të pyeturve mbështesnin mbajtjen e detyrueshme të maskës në udhëtimet në distanca të largëta me tren apo avion, ndërsa 24% e tyre ishin kundër këtij rregulli. Ndërkohë, një përqindje më e ulët njerëzish, rreth 46% e tyre, mbështesin idenë e mbajtjes së detyrueshme të maskës në hapësirat publike apo në dyqane. Po ashtu, vetëm 29% e të anketuarve thanë se mbajtja e maskës duhet të jetë e detyrueshme në shkolla. Mbështetja për këtë masë anti-Covid ndryshon ndjeshëm edhe në bazë të pikëpamjeve politike të të anketuarve, bëhet e ditur sipas rezultateve të sondazhit. Kështu, mbështetësit e Partisë së Gjelbër mbështesin mbajtjen e maskës, kurse kjo ide gëzon shumë më pak mbështetje në mesin e votuesve të partisë djathë Alternativa për Gjermaninë (AfD). Rreth 51% e të anketuarve në mesin e këtij grupi votuesish u shprehën në përgjithësi kundër mbajtjes së detyrueshme të një maske. Javën e kaluar, Ministri i Shëndetësisë, Karl Lauterbach, dhe Ministri i Drejtësisë, Marco Buschmann, prezantuan një sërë masash të reja anti-Covid që pritet të hyjnë në fuqi në vjeshtë. Mes të tjerash, projektligji i tyre përcakton që mbajtja e maskave të jetë e detyrueshme gjatë udhëtimeve me trena në distanca të largëta, gjatë udhëtimeve me avion, si edhe në spitale dhe qendra shëndetësore. Qeverive lokale të landeve gjermane do t’u duhet të vendosin vetë nëse do të kërkojnë mbajtjen e detyrueshme të maskave në ambiente të mbyllura.http://ata.gov.al/2022/08/13/sondazh-shumica-e-gjermaneve-ende-mbeshtesin-mbajtjen-e-detyruar-te-maskes-ne-transportin-publik/
Shumica e gjermanëve ende mbështesin mbajtjen e detyruar të maskës në transportin publik
RELATED ARTICLES