Të gjithë sytë do të drejtohen nga Komiteti Norvegjez i Nobelit, kur më 10 tetor ai do të shpallë fituesin e Çmimit Nobel për Paqe, veçanërisht duke pasur parasysh se disa shtete kanë nominuar presidentin amerikan, Donald Trump për këtë çmim.
Por, këtë vjeshtë shpallet edhe një çmim tjetër i rëndësishëm, ”Çmimi Saharov për Lirinë e Mendimit”, që është çmimi më i lartë për të drejtat e njeriut i Bashkimit Evropian.
Përderisa presidenti amerikan nuk është propozuar për këtë çmim, që ka një vlerë monetare prej 50 000 eurosh, shumë individë dhe organizata nga zonat që i mbulon Radio Evropa e Lirë janë nominuar, përfshirë studentët protestues serbë, Parada e Krenarisë në Budapest, gazetari polako-bjellorus, Andrzej Poczobut, gazetarja gjeorgjiane Mzia Amaglobeli së bashku me lëvizjen pro demokracisë në shtetin e saj.
Ata garojnë me të nominuar të tjerë, sikurse gazetarët palestinezë dhe punonjës të ndihmës, dhe po ashtu janë në garë kundër aktivistit konservator, Charlie Kirk, i cili u vra së fundi.