Në Gjirokastër janë shuar zjarret e rëna dhe tashmë nuk ka prani të shtëllungave të tymit. Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi në një prononcim për mediet tha se “të gjitha lagjet gjithë mbrëmjen e djeshme kanë qenë të rrezikuara. Falënderoj punonjësit e forcave zjarrfikëse, Forcat e Armatosura dhe vullnetarë të cilët kanë punuar vazhdimisht për të shuar zjarrin. Bashkia ka pasur mbi 200 punonjës në terren, të ndarë në 4 vatrat problematike.” Golemi kërkoi që organet kompetente të zbulojnë autorët e zjarrvënieve të qëllimshme. “Ne do i shkojmë deri në fund kësaj historie. Edhe në tentativë për të pastruar kullotat, mund të krijohet situata emergjence”, tha Golemi. I pyetur për dëmet që ka shkaktuar zjarri, Golemi theksoi se “shërbimet pyjore po bëjnë bilancin, për fat të mirë, 1 hektar është dëmi në pyje, problem kullotat, më shumë shkurre dhe bar. E kemi mbajtur larg zonave të banuara, pasi mbrëmë u rrezikuan dy lagje”. “Jemi në pikun e sezonit turistik, kemi vazhduar kalendarin e aktiviteteve pavarësisht problemeve, por mbrëmja e djeshme ka qenë problematike”, tha Golemi.