Shtohen të pasionuarit pas kulturës dhe historisë në Kalanë e Kaninës

0
4

Kalaja e Kaninës ka pritur se fundmi vizitorë të shumtë, nga vendi dhe bota.

Vizitorët kanë mundur të prekin nga afër muret që ruajnë shekuj të tërë krenarie, legjendash dhe kujtimesh, duke pasur një përvojë që prek jo vetëm shqisat, por edhe shpirtin.

Kalaja e Kaninës gjendet vetëm 3 km larg qytetit bregdetar të Vlorës dhe kjo afërsi e ka bërë atë një nga destinacionet më të vizituara të turizmit kulturor dhe historik.

Historia e ndërtimit të kalasë nis prej shekullit IV para Krishtit, përcjell periudhat e Antikitetit dhe të Mesjetës (bizantine, veneciane, turke), së bashku me teknikat respektive të ndërtimit.

Kalaja ngrihet në majë të një kodre me lartësi 380 metra mbi nivelin e detit. Ajo ka një sipërfaqe prej 3,6 hektarësh. Përballë saj është deti Adriatik, që duket si në pëllëmbë të dorës. Kjo fushëpamje i mrekullon të gjithë vizitorët e Kaninës.

Në kala është edhe teqeja, më parë në vend të saj ka qenë një kishë dhe me ardhjen e Sulejman Pashait, admirali i madh e ktheu në teqe.