Pas ndërtimit të rrugës fshatrat që shtrihen në Lumin e Vlorës kanë nisur të hapin bujtinat e para për të pritur turistët e huaj, të cilët në këto ditë vjeshte po ngjiten në malet ende të paeksploruara të kësaj zone.

E kthyer në një prej akseve turistike më panoramike të Shqipërisë përgjatë kësaj rruge mund të arrish edhe në fshatin Bashaj të Vlorës.

Vitet e fundit turizmi rural në fshatrat e Vlorës ka shënuar një zhvillim të menjëhershëm duke tërhequr vizitorë të pasionuar pas natyrës, historisë dhe traditave. Turistët gjatë qëndrimit të tyre vlerësojnë shijen e mirë të mikpritjes familjare, ajrin e maleve dhe kulinarinë fantastike të fshatrave pranë Lumit të Vlorës.

Rruga e Lumit të Vlorës siguron lidhjen e më shumë se 60 fshatrave të zonës, me popullsi mbi 40 mijë banorë me qytetin e Vlorës. Përveç lidhjes së fshatrave të krahinës me Vlorën, kjo rrugë lidh Vlorën me Himarën dhe krijon akses më të afërt dhe të shpejtë për Gjirokastrën e Tepelenën drejt bregdetit të jugut.