”Presidenti Donald Trump e mbështet këtë plan. Është një plan i mirë si për Rusinë, ashtu edhe për Ukrainën dhe besojmë se është i pranueshëm për të dyja palët”, tha ajo, duke iu përgjigjur informacioneve sipas të cilave projekti do t’i plotësonte Moskës disa kërkesa të rëndësishme.

Ndërkohë, presidenti Zelensky shpreson të flasë së shpejti me Trump për të diskutuar pikat kryesore të projektplanit, të cilin zyra e tij nuk e ka zbuluar në detaje.

Mediet amerikane dhe britanike raportuan dje se Uashingtoni ka hartuar një plan paqeje me 28 pika, me synim t’i japë fund luftës në Ukrainë, e cila u fillua nga Rusia në shkurt të vitit 2022.

Raportohet se përmbajtja e planit bazohet kryesisht në pozicionet ruse, gjë që e bën të mundshme refuzimin nga Kievi.

Sipas “Financial Times”, drafti amerikan besohet të përfshijë koncesione të gjera ndaj Moskës, duke i kërkuar Ukrainës të zvogëlojë gjysmën e ushtrisë së saj dhe të dorëzojë provincat lindore të okupuara nga Rusia, përfshirë Donetskun dhe Luhanskun.

Plani do t’i jepte gjithashtu Rusisë kontrollin e zonave që nuk ka arritur t’i pushtojë gjatë pothuajse katër viteve të luftës së plotë.