Shtëpia e Bardhë i ka paraqitur një kërkesë Kongresit për të miratuar 106 miliardë dollarë fonde shtesë emergjente në vitin fiskal 2024, për të cilat zyrtarët thanë se do të mbështesin mbrojtjen e Izraelit, Ukrainës, Tajvanit dhe kufirit jugor. Fondi, gjithashtu do të sigurojë 10 miliardë dollarë ndihmë humanitare. Presidenti Joe Biden i përshkroi prioritetet e tij në një fjalim të enjten në mbrëmje. Kombinimi i fondeve të mbrojtjes, ndihmave humanitare dhe financimit të sigurisë kufitare ka të ngjarë të jetë një përpjekje për të anashkaluar mosmarrëveshjet në Kongres, më së shumti opozita midis disa republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve për të vazhduar mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën. “Kërkesa përfshin 61,4 miliardë dollarë për Ukrainën. Nga këto, 30 miliardë dollarë do të shkojnë për rimbushjen e stoqeve të Departamentit të Mbrojtjes me armë dhe pajisje, dhe për dërgimin e vazhdueshëm të armëve në Ukrainë”, sipas Shtëpisë së Bardhë. Gjithashtu, 14,4 miliardë dollarë të tjerë do t’i shkojnë drejtpërdrejt Pentagonit për mbështetje të vazhdueshme ushtarake dhe shërbimeve sekrete në lidhje me luftën e Ukrainës me Rusinë, tashmë në vitin e saj të dytë. Departamenti Amerikan i Shtetit do të marrë 16,3 miliardë dollarë për operacionet që lidhen me luftën. Gjithashtu në kërkesë përfshihen 14,3 miliardë dollarë për Izraelin, që tani hyn në javën e tretë të luftës me Hamasin, një grup politik dhe ushtarak islamik sunit që SHBA-ja e konsideron një organizatë terroriste. Pjesa më e madhe e këtyre fondeve, 10,6 miliardë dollarë, do të shkojnë për sistemet e mbrojtjes ajrore dhe raketore të Izraelit, duke përfshirë platformën e tij të përgjimit të raketave “Iron Dome” të financuar nga SHBA-ja, e cila është tensionuar nga sulmet e vazhdueshme me raketa nga Rripi i Gazës, këtë muaj. Ndërsa 3,7 miliardë dollarët e mbetur për Izraelin do të përdoren nga Departamenti Amerikan i Shtetit për financimin e huaj ushtarak dhe mbështetjen e ambasadave. “Paketa përfshin gjithashtu 10 miliardë dollarë ndihmë humanitare”, tha Shtëpia e Bardhë. Fondi me vlerë 9,15 miliardë dollarë, do të përdoret për Izraelin, Ukrainën dhe Gazën.
Shtëpia e Bardhë kërkon miratimin e fondit prej 106 miliardë dollarësh nga Kongresi
RELATED ARTICLES