Në lulishten në zemër të qytetit të Përmetit iu dha një vend i përhershëm një figure të paharruar të muzikës shqiptare, mjeshtrit të klarinetës, Laver Bariut.
“Përurimi i shtatores të tij hapi zyrtarisht edicionin e parë të “Vjosa Art Fest”, duke na kujtuar se arti i vërtetë jeton përgjithmonë në zemrat e njerëzve”, shkruhet në një postim të Bashkisë Përmet.
Ceremonia e vendosjes së shtatores mblodhi personalitete të jetës artistike, përfaqësues të institucioneve vendore si dhe qytetarë të shumtë.
Në fjalën e rastit, kryebashkiakja e Përmetit, Alma Hoxha, u ndal te vepra e tij si një pasuri e vërtetë për Përmetin dhe për gjithë Shqipërinë. E pranishme në këtë ceremoni ishte edhe familja e mjeshtrit Laver Bariu.
Përmendorja është vepër e skulptorit Alen Toska dhe u realizua pas një pune disa mujore.
“Unë jam skulptori i veprës së Laver Bariut. Ka qenë një projekt që zgjati rreth shtatë muaj. Nuk ishte një projekt i lehtë. Nga ana kompozicionale, ishte mjaft sfidues – të realizosh një figurë të ulur, me shprehje të fytyrës dhe lëvizje të duarve, kërkon shumë punë e përkushtim. Mendoj se e kam arritur qëllimin”, tha skulptori Alen Toska.
Laver Bariu nuk ishte thjesht një mjeshtër i klarinetës, ai ishte një shpirt i rrallë i muzikës popullore shqiptare, një udhërrëfyes i traditës dhe një formues i identitetit muzikor të Jugut. Me themelimin dhe drejtimin e Sazeve të Përmetit, ai jo vetëm që përcolli tingujt e zemrës përmes gërnetës, por krijoi një shkollë interpretimi që u bë udhë për breza të tërë.
Përmendorja e tij, tashmë e vendosur në një nga hapësirat publike më të rëndësishme të qytetit që e lindi, nuk është vetëm një nderim simbolik, është një rikthim i figurës së tij aty ku i përket, në zemrën e Përmetit dhe në kujtesën kulturore të të gjithë Shqipërisë.
Laver Bariu lindi në Përmet më 2 maj 1929 dhe vdiq me 26 janar 2014. Ai ishte
Në prill të vitit 1994 realizojnë CD me muzikë popullore, në bashkëpunim me një shoqëri angleze dhe CD-në tjetër e realizojnë në Greqi. Një tjetër CD me mbishkrimin “Laver Bariu dhe valle dasmash” është realizuar në Australi në vitin 1995 nga “Fezollari Productions AUSTRALIA”.
Në Mars të 2001, për meritat e tij dekorohet nga presidenti i republikës me urdhrin “Mjeshtër i madh i punës”. Në vitin 2001, me vendim të Këshillit Bashkiak të qytetit të Përmetit, Usta Laveri u shpall “Qytetar nderi” i Përmetit, krahas Vëllezërve Frashëri, Odhise Paskalit dhe Mentor Xhemalit. Regjistrimet kryesore muzikore i kanë pranë Radio-Tiranës, Televizionit Shqiptar dhe Institutit të Kulturës Popullore. Edhe Radioja e Suedisë e ka regjistruar Laver Bariun bashkë me grupin e Përmetit në festivalin folklorik në Falun (Suedi).