Presidenti i ri i Kolumbisë, Gustavo Petro, thuhet se po rivlerëson rolin e vendit në luftën ndërkombëtare kundër drogës, duke filluar me dekriminalizimin e mundshëm të kokainës. Vendi është aktualisht prodhuesi më i madh i drogës në botë, sipas nowthisnews. “Ka ardhur koha për të pranuar se lufta kundër drogës ka qenë plotësisht një dështim”, tha presidenti Petro gjatë fjalimit të tij inaugurues në gusht. Administrata e tij ka propozuar legjislacionin për dekriminalizimin dhe rregullimin e përdorimit të kokainës dhe kanabisit rekreativ. Sipas Washington Post, kolumbianët tashmë lejohen të mbajnë sasi të vogla të të dy barnave, por propozimet e administratës Petro shkojnë edhe më tej. Petro, i cili mori presidencën më 7 gusht, është presidenti i parë i së majtës në historinë e Kolumbisë. Zgjedhja e tij përkon me një tendencë në rritje të liderëve të krahut të majtë që marrin pushtetin në pjesët historikisht konservatore të Amerikës së Jugut, duke përfshirë vendet e tjera prodhuese të kokainës, Perunë dhe Bolivinë. Administratat e mëparshme kolumbiane kanë punuar ngushtë përkrah qeverisë së SHBA-së për të luftuar trafikun e paligjshëm të drogës në kontinentin amerikan. Por supozohet se Shtëpia e Bardhë nuk është shumë e kënaqur me propozimet. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe administrata e Biden nuk janë përkrahës të dekriminalizimit”, tha për Washington Post zëvendëskëshilltari për Sigurinë Kombëtare, Jonathan Finer. Mandati i Petro dhe propozimet e tij për dekriminalizimin e drogës vijnë përafërsisht 2 muaj pasi Komisioni Kolumbian i së Vërtetës publikoi raportin e tij që analizonte konfliktin gati 60-vjeçar midis qeverisë së vendit dhe grupit revolucionar FARC përpara një marrëveshjeje paqeje të vitit 2016. Sipas raportit të komisionit, lufta e Kolumbisë kundër drogës kishte përkeqësuar konfliktin e brendshëm dhe shkaktuar mijëra vdekje. Gjithashtu, raporti i bën thirrje qeverisë kolumbiane të ndjekë një politikë të rregullimit të rreptë ligjor të drogës.http://ata.gov.al/2022/09/03/kolumbia-shqyrton-dekriminalizimin-e-droges/