Gjendja e banorëve shqiptarë në “Lagjen e boshnjakëve” në veri të Mitrovicës vazhdon të jetë e rëndë, edhe 20 ditë pas vërshimeve në këtë qytet. Kjo lagje është zona më e prekur nga përmbytjet në të dyja komunat e këtij qyteti me rreth 100 shtëpi e biznese të dëmtuara, 65 prej të cilave tërësisht, ndërsa sipas kompetentëve, dëmi konsiderohet të jetë mbi gjysmë milioni euro. Shumica e banorëve këtu thonë se kanë humbur gjithçka që kanë krijuar ndër vite me shumë mund, derisa presin ndihmën e shtetit në këto momente të vështira për ta. Halil Hakaj, banor i “Lagjes së boshnjakëve” në veri të Mitrovicës, shtëpia e të cilit është dëmtuar nga vërshimet dhe tashmë është e pabanueshme thotë për KosovaPress se të gjitha orenditë, pajisjet teknike dhe gjithçka tjetër është detyruar t’i hedhë. Sipas tij, uji që ka depërtuar brenda shtëpisë së tij ka arritur lartësinë gati dy metra dhe ka shkatërruar gjithçka. Hakaj, që vuan nga një sëmundje e boshtit kurrizor, thotë se ka humbur të gjitha që i ka krijuar vetë dhe tani pret ndihmë nga shteti, në të kundërtën familja e tij tre anëtarëshe nuk ka mundësi të bëjë asgjë. Hakaj: Krejt çka kam pasur më ka humbur “Në katin e parë krejt çka kam pasur është dëmtuar, do të thotë kam mbetur në rrugë, as nuk di kah, as s’kam ku te shkoj dhe as çfarë të bëj… Nuk e di ta përshkruaj, dëmet janë sikur kur të digjen krejt, më nuk janë të përdorshme dhe duhet t’i gjuaj të gjitha, frigorifer, shporet, divane dhe të tjerat mos ti përmend… Jemi tre anëtarë të familjes ndërsa (po qëndrojmë) ku po mundemi , kushdo që po na pranon sepse s’po dimë nga të shkojmë… Përveç ushqimit (që kemi marrë), mirëpo edhe ushqimin ku me hëngër sepse s’ke vend ku të ulesh, ttë rish, konzervat, peshqit dhe ndihmat që po i ndajnë, ose deterxhent që marrim, kot sepse s’ke rrobalarëse, kjo është katastrofë… Krejt çka kam pasur më ka shkuar, dhe tërë jetën që jam munduar, në zero kam ardhur. Jam edhe i sëmurë nga kurrizi dhe as nuk mundem të punoj… Ne presim ndihmën e qeverisë, aty pak po mbajmë shpresë, ndryshe nuk di çka te bëj”, thotë Hakaj. Edhe Avni Peci, një tjetër banor nga kjo lagje, bën të ditur se ka humbur çdo gjë që ka pasur dhe kjo që i ka ndodhur e ka goditur jashtëzakonisht edhe emocionalisht. Peci: E lusim qeverinë me na marrë parasysh “Jemi sistemuar në banesën e motrës prej 56 metra katrorësh 11 anëtarë… Ne jemi nën presion psikik, fizik, ekonomik etj, edhe në komunikim me njerëz të rëndomtë pak jemi agresivë… Ne kemi humbur çdo gjë që kemi pasur… Na kanë sjellë batanije, jorgana, jastëk, veshmbathje, gjëra ushqimore, higjienike etj, mirëpo gjërat të cilat na i kanë ofruar ne nuk mundemi t’i perdorim sepse nuk jemi në shtëpitë tona, p.sh. të gatuash një gjellë nëse nuk i ke gjërat elementare, qysh ta gatuash atë gjellë… Ne e dimë se ekzekutiv nuk kemi (Komuna e Mitrovicës Veriore v.j.), andaj e lusim qeverinë me na marrë parasysh”, thekson Peci. Ndërkaq, Nexhat Uglanin, kryesues i Kuvendit Komunal në Mitrovicën Veriore, njëherësh shef i Shtabit emergjent në veri, e quan shumë të rëndë gjendjen e banorëve të veriut të prekur nga vërshimet. Ai apelon te Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë hapa konkret në mënyrë që t’u ndihmohet banorëve të këtushëm sa më shpejtë. Uglanin: Qeveria të ndërmarrë hapa sa më shpejtë “Gjendja është shumë e rëndë për banorët të cilët janë prekur nga vërshimet… Andaj apelojmë që sa më shpejtë qeveria të ndërmarrë hapa konkretë për t’i ndihmuar popullatës sepse është shumë e nevojshme… 65 shtëpi janë të dëmtuara shumë (tërësisht), rreth 12 shtëpi më pak (pjesërisht), pastaj kemi edhe vetëm bodrume të vërshuara, por janë edhe bizneset të cilat në bazë të kërkesave i kemi në Qendrën emergjente… 93 raste janë gjithsej”, thotë Uglanin. Në anën tjetër, Arian Tahiri, nënkryetar i Komunës së Mitrovicës Jugore, shprehet se përkundër gjendjes së vështirë nga vërshimet të banorëve shqiptarë në veri, Komuna e Mitrovicës Jugore për shkak të procedurave nuk ka pasur mundësi t’i ndihmojë këta banorë në mënyrë institucionale. Mirëpo, shton ai, një pjesë të njerëzve të vullnetit të mire, të cilët kanë shprehur interesim ta ndihmojnë komunën e Mitrovicës së Jugut, i kanë adresuar te familjet e prekura në veri. Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të reagojë me prioritet, sidomos për shqiptarët në veri, sepse ka kompetenca direkte për mbështetje. Tahiri: Mbështetja nga niveli qendror duhet të jetë prioritet për shqiptarët e veriut “Vazhdojmë të jemi në komunikim me banorët e atjeshëm, e dimë se janë duke u ballafaquar me vështirësi shumë të mëdha… Ne në mënyrë institucionale, me mjete të buxhetit të Komunës nuk kemi pasur mundësi t’i mbështesim për shkak të procedurave, mirëpo njerëzit e vullnetit të mirë të cilët kanë shprehur gatishmëri ta mbështesin Komunën e Mitrovicës së Jugut, një pjesë të tyre i kemi adresuar tek familjet në ‘Lagjen e boshnjakëve’… Gjendja (në Lagjen e boshnjakëve) vazhdon të jetë e vështirë, dhe vazhdojmë së bashku me ta të ngrisim zërin edhe tek niveli qendror për shkak se konsideroj që duhet me prioritet mbështetja nga niveli qendror sepse kanë kompetenca të krijojnë mbështetje direkte, sidomos për banorët shqiptarë të cilët jetojnë në pjesën veriore, përkatësisht në ‘Lagjen e boshnjakëve’, për shkak se në bazë të vlerësimeve dhe asaj që kam parë personalisht vetë në terren, flasim për dëme shumë të mëdha në ekonomi familjare, por edhe në ato pak biznese shqiptare që janë atje”, potencon Tahiri. Skenderaj, Mitrovica, Klina, Istogu e Podujeva konsiderohen komunat më të prekura nga reshjet e fund janarit. Ditë më parë, ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se po presin raportet nga Komunat para se të ndërmarrin veprime për të ndihmuar të prekurit nga përmbytjet. atsh
Shqiptarët në veri në gjendje të rëndë pas përmbytjeve
RELATED ARTICLES