Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndodhet në Berlin ku po merr pjesë në panairin më të madh në botë të turizmit ITB Berlin për të përfaqësuar Shqipërinë turistike me një sinergji të shkëlqyer së bashku me 7 bashki dhe 26 turoperatorë. Gjatë kësaj vizite Kumbaro nënshkroi zyrtarisht marrëveshjen që e bën Shqipërinë vendin pritës të Mbledhjes së Komisionit për Europën të Organizatës Botërore të Turizmit së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të UNWTO, Zurab Pololikashvili.
Me sloganin “Albania All Senses”, Shqipëria është bërë sërish pjesë e panairit më të madh në botë të turizmit, ITB Berlin, që zhvillohet nga data 5 deri më 7 mars në Gjermani. Në këtë panair, Shqipëria prezantohet me një hapësirë kuruar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, si edhe me pjesëmarrjen e 26 turoperatorëve privatë dhe shtatë bashkive turistike që prezantojnë ofertat dhe potencialet e tyre në Berlin. Gjithashtu pjesë e këtij panairi që nisi ditën e sotme janë edhe bashkitë Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Korçë, Sarandë, Përmet dhe Tepelenë, të cilat prezantojnë programet e tyre të promovimit. ITB Berlin operon suksesshëm prej vitit 1966 duke qenë panairi më i madh i Turizmit në botë.