Sipas raportit, “në Shqipëri, liria e shtypit dhe pavarësia e medias kërcënohen nga konfliktet e interesit midis botës së biznesit dhe asaj politike”.
“Media më me ndikim e sektorit privat në Shqipëri është në pronësi të një grushti kompanish që kanë lidhje me botën politike në sektorë shumë të rregulluar si ndërtimi”, lexohet në raport.
“Ndërsa ka qindra media online në vend, vetëm një numër i vogël kanë një model biznesi të qëndrueshëm me financim transparent. Mediet kryesore përfshijnë transmetuesin publik RTSH, Top Channel, TV Klan dhe RTV Ora”, thuhet në raport.
Ndërsa Shqipëria ka patur përmirësim në raport me vitin 2024, Kosova ka patur përkeqësim të pozicionit të saj.
Sipas raportit, Kosova e ka shënuar rënien më të madhe në 15 vjetët e fundit në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete. Ky është viti i dytë radhazi që Kosova shënon rënie, pasi në vitin 2024 ra nga vendi i 56-të në atë të 75-të.
Në raportin e publikuar nga Reporterët pa Kufij, Kosova renditet e fundit në zonën e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian. Nga vendet e tjera të Ballkanit, Mali i Zi renditet në vendin e 37-të, pastaj Maqedonia e Veriut në vendin e 42-të, Bosnjë e Hercegovina e 86-ta dhe Serbia e 96-ta.