Në raportin e fundit të publikuar nga ITU, Shqipëria ka bërë një përparim të jashtëzakonshëm duke u ngjitur me 23 vende në renditjen globale të sigurisë kibernetike, krahasuar me raportin e mëparshëm.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike bën të ditur se aktualisht, vendi ynë bazuar në pikët e performancës renditet në vendin e 57-të në nivel global, nga vendi i 80-të që ishte më parë, dhe ka përmirësuar pozicionin e tij në Evropë duke u ngjitur nga vendi i 40-të në vendin e 30-të.

Pikët janë rritur nga 64.32 në 86.51 (+22.19 pikë), duke e bërë Shqipërinë pjesë të grupit “Tier 2”, që përfshin vendet që po avancojnë shpejt në fushën e sigurisë digjitale, duke treguar përkushtimin e saj për të përballuar sfidat globale të sigurisë kibernetike.

Ky progres është një dëshmi e përkushtimit të vazhdueshëm të Shqipërisë për të përballuar sfidat digjitale dhe për të përmirësuar mbrojtjen kibernetike në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.