Nga Berlini, ku Shqipëria merr pjesë në panairin më të rëndësishëm të turizmit, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro u shpreh në një intervistë televizive se vendi ynë i përfaqësuar nën moton “Gjithçka që ju nevojitet ndodhet në Shqipëri”, tërhoqi vëmendjen e operatorëve turistikë gjermanë dhe jo vetëm. Gjatë këtij panairi, me prezencën e Kryeministrit Edi Rama, u zhvillua edhe një takim i rëndësishëm me 26 presidentë të kompanive më të mëdha të udhëtimit, hotelerisë e turizmit gjerman, si dhe me drejtuesit e medieve gjermane të turizmit. “Në këtë takim të përbashkët, pamë që interesi për Shqipërinë është jashtëzakonisht i madh dhe nuk habitem, kur vetë sektori privat i turizmit na konfirmon se 83 % e të gjithë kapaciteteve turistike shqiptare për periudhën e pikut të sezonit deri në tetor, janë të prenotuara. Sigurisht janë shifra që të entuziazmojnë, por po aq na bëjnë të jemi edhe më të përgjegjshëm me reputacionin e Shqipërisë në tregun e turizmit”, u shpreh ministrja Kumbaro. E pyetur në lidhje me rritjet e flukseve turistike gjatë vitit 2022 dhe pritshmëritë në nivel shifrash për këtë vit e ndikimin e tyre në ekonominë e vendit, ministrja Kumbaro theksoi se Shqipëria synon turizmin cilësor dhe me vlera përkundrejt atij me volum shifrash. “Nëse do t’i referohem janarit të këtij viti, i cili ka pasur 94 % më shumë vizitorë krahasuar me janarin e vitit të kaluar dhe gjithashtu shifrave të prenotimeve të sektorit privat, padyshim që do të jetë shumë më i madh numri i turistëve këtë vit. Gjithashtu, nga janari çdo ditë të këtij viti kemi pasur çdo ditë një artikull në mediet ndërkombëtare që nga “BBC”, “Le Monde” apo “Corriere della Sera”. Por nga ana tjetër, ne synojmë më shumë një turizëm cilësor sesa sasior, një turizëm me vlera sesa me volum. Ky është objektivi ynë dhe për këtë jemi duke punuar shumë fort”, përfundoi ministrja Kumbaro. Pas pjesëmarrjes së Shqipërisë në “ITB” Berlin, një forum ndërkombëtar turizmi do të mbahet në Tiranë në fillim të prillit, organizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Turizmit. Më tej, në vjeshtë pritet të organizohet një vizitë e operatorëve turistikë dhe drejtuesve të agjencive turistike japoneze në Shqipëri, një treg i ri për hartën turistike të vizitorëve japonezë. atsh