Komisioni për Politikën e Jashtme ratifikoi marrëveshjen me Bashkimin Evropian për pjesëmarrjen e Shqipërisë në mekanizmin e mbrojtjes civile të BE. Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Mbrojtjes, Geraldina Prodani e pranishme në komision bëri të ditur se, mekanizmi i mbrojtjes civile të BE-së, bazohet në solidaritet, që do të thotë se, kur godet një fatkeqësi, shtetet e tjera mund të ofrojnë ndihmë. “Kjo marrëveshje është firmosur në 8 nëntor 2022, ku Shqipëria është bërë zyrtarisht shtet pjesëmarrës i këtij mekanizmi. Anëtarësimi i Shqipërisë në këtë mekanizëm të BE-së do të ndikojë në rritjen e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes civile për të gjitha llojet e fatkeqësive natyrore dhe atyre të shkaktuara nga dora e njeriut, kryesisht në lehtësimin e koordinimit të përgjigjes, marrjes dhe dhënies së asistencës ndërkombëtare dhe elementët e tjerë që janë pjesë e këtij mekanizmi”, u shpreh Prodani. Sipas saj, kjo do të forcojë kapacitetet e Shqipërisë në gatishmëri dhe përgjigje. ATSH