Në mbledhjen e Përgjithshme Vjetore të IAIS-it, zhvilluar këtë javë në Cape Town, drejtoresha e përgjithshme ekzekutive e autoritetit, Mimoza Kaçi, prezantoi platformën dhe vizionin e autoritetit për organizimin e këtij eventi vitin e ardhshëm në Shqipëri.

Në fjalën e mbajtur, Kaçi theksoi marrëdhënien e shkëlqyer me IAIS, dëshmi e angazhimit të vazhdueshëm të Autoritetit për bashkëpunim ndërkombëtar dhe harmonizim të praktikave mbikëqyrëse me standardet ndërkombëtare në sigurime.

Gjatë vitit 2024, bazuar në rekomandimet e “Raportit të vlerësimit të përputhshmërisë” të IAIS, janë hartuar dhe propozuar ndryshimet përkatëse, si në ligjin e sigurimeve dhe risigurimeve, ashtu edhe në ligjin “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare”, me qëllim forcimin e kuadrit ligjor dhe rregullator.

“Qëndroj sot përpara jush si dëshmitare e transformimit të jashtëzakonshëm të vendit tim, Shqipërisë, të cilën do ta quaja thesari i vogël në zemër të Europës. Trashëgimia jonë kulturore është po aq e pasur, sa dhe unike. Ne jemi vendlindja e Nënë Terezës, shpirti i së cilës vazhdon të na frymëzojë dhe udhëheqë. Dëshiroj të jemi të gjithë bashkë vitin e ardhshëm për të përjetuar magjinë e vendit, që do të lërë gjurmë dhe do të mbetet gjatë në mendjen tuaj”, tha Kaçi në fjalën e saj.

Konferenca Vjetore IAIS 2025, do të mbledhë në Tiranë mbi 500 drejtues të nivelit të lartë nga autoritetet mbikëqyrëse dhe tregu i sigurimeve nga mbarë bota, për të diskutuar mbi zhvillimet dhe sfidat në fushën e sigurimeve. Njëkohësisht, ky event do të jetë një mundësi e shkëlqyer për të promovuar Shqipërinë, si një destinacion të ri në fushën e turizmit. Pjesëmarrësit në aktivitet, shprehën interes të lartë, ndërsa vizituan stendën promovuese të Shqipërisë.