Shqipëria, mes 50 vendeve me aftësinë të vetëushqehen

0
3

Klasifikimi i bërë nga platforma mat vetëmjaftueshmërinë ushqimore të një vendi në raport me konsumin e brendshëm, duke përdorur 7 kategori kryesore: fruta, perime, bishtajore, ushqime me bazë niseshte (buka, patatet, orizi), mish, peshk, qumësht dhe nënprodukte, si dhe tre produkte të tjera shtesë: vezë, sheqerna dhe vajra bimorë.

Shqipëria është pozicionuar në vendin e 41, duke ruajtur një ekuilibër mes prodhimit dhe konsumit të brendshëm ushqimor. Ajo shënon vetëmjaftueshmëri të lartë në disa kategori, përfshirë frutat dhe perimet, ku mbulon 214% dhe 278% të nevojave të brendshme, falë klimës së favorshme dhe traditës të bujqësisë në rajone si Myzeqeja, Fieri, Lushnja dhe Korça.

Dy produktet e tjera që janë në nivele të larta vetëmjaftueshmërie janë mishi, me 156%, dhe qumështi dhe nënproduktet e tij, me 501%. Megjithatë, vendi ka deficiencë në prodhimin e bishtajoreve, me vetëm 70% të nevojave të mbuluara. Nivelin më të ulët të vetëmjaftueshmërisë Shqipëria e ka në produktet me bazë niseshte, si buka, patatet dhe orizi, ku mbulon vetëm 25% të kërkesës, si dhe në peshk, me vetëm 18%.

Raporti tregon se vetëmjaftueshmëria arrihet kur një vend ka një vlerësim prej 100% për secilën kategori. Një vlerë mbi 100% tregon se vendi është eksportues neto në atë kategori, ndërsa një vlerë nën 100% tregon varësi nga importet.