Në kantierin për ndërtimin e hekurudhës Tiranë – Rinas -Durrës, janë drejt përmbylljes punimet infrastrukturore.

Tashmë ka mbërritur edhe makineria moderne, Tamping, përmes së cilës bëhet i mundur paketimi, shtypja e çakëllit përmes të cilave rritet qëndrueshmëria e binarëve. Po përmes kësaj makinerie bëhet e mundur korrigjimi i shtrirjes së shinave, për ti bërë ato paralele dhe në nivel, për një udhëtim sa më komod.
Krahas linjës Vorë-Hani i Hotit që do të kushtojë 370 milionë euro, Balluku informoi se është siguruar financim prej 120 milionë eurosh edhe për linjën Durrës-Rrogozhinë me gjatësi 34 kilometra, sërish me të njëjtin instrument, mbështetur nga Bashkimi Europian, nga BERZH dhe nga BEI.

“Tashmë është gati edhe projekti fillestar i linjës Rrogozhinë-Pogradec, duke përmbyllur kështu Korridorin e VIII, si një nga korridoret më strategjik, pasi nuk është thjesht një korridor i transportit rrugor apo atij hekurudhor, por është një transport energjetik gjithashtu dhe nga ana tjetër është një nga korridoret më të rëndësishme strategjike që do të lidhë detin Mesdhe me Detin e Zi”, shtoi Balluku.

Balluku informoi se kanë nisur procedurat për ndërtimin e portit të ri të Durrësit në zonën e Porto Romanos, i cili do të lidhet me këto rrjete hekurudhore për të krijuar kështu një facilitet, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Maqedoninë e Veriut përmes “portit të thatë”, të cilin Maqedonia e Veriut ka kërkuar ta ndërtojë në Shkup dhe jo Strugë siç ishte parashikuar, dhe nga ana tjetër edhe “porti i thatë” që do të ndërtohet në Prishtinë.

“Lidhur me “portin e thatë”, i cili do të ndërtohet në Prishtinë, kemi një lajm tjetër për të, pasi tashmë ne kemi gati studimin e fizibilitetit për projektin paraprak të linjës Durrës-Prishtinë me gjatësi 105 kilometra, duke ndërlidhur kështu Shqipërinë në disa prej pikave dalëse, pra kufijve tanë me vendet fqinje”, tha ajo.

Ministrja tha se qeveria shqiptare mund të mundësojë edhe një pjesë të financimeve për linjat e brendshme sidomos nga buxheti i shtetit.
Këtu, ajo nënvizoi dy projekte të tjera të rëndësishme, konkretisht segmenti që do të lidhë aeroportin e Vlorës me qytetin e Vlorës, duke qenë që një aeroport i atij kapaciteti, i cili përmbush të gjitha kushtet e kategorisë 4 E, që synon të jetë një nga aeroportet më të mëdha të rajonit, duhet patjetër të jetë i ndërlidhur me sistem hekurudhor me qytetin pritës, atë të Vlorës.

Nga ana tjetër, Balluku informoi se po punohet për fizibilitetin e linjës së dytë, atë që lidh qytetin e Vlorës me Rrogozhinën, duke e bërë kështu një pjesë të ndërlidhur me të gjitha pjesët e tjera të hekurudhës.

“Siç duket qartë nga gjithë këto projekte që janë në vijimësi angazhimi i qeverisë shqiptare është shumë serioz për ti rikthyer shkëlqimin sistemit të transportit hekurudhor në vend, por mbi të gjitha duke e modernizuar atë në të gjithë komponentët e tij, sidomos edhe në atë të dixhitalizimit. Ky angazhim është pjesë e një strategjie të re, më të gjerë, për të integruar Shqipërinë më shumë dhe më ngushtë në rrjetin europian të transportit, duke i hapur mundësi të reja zhvillimit për qytetarët, por padyshim edhe për bizneset shqiptare. Ne jemi të përkushtuar që të investojmë në modernizimin e infrastrukturës hekurudhore, duke e bërë Shqipërinë një pikë kyçe në lidhjet e transportit për Ballkanin Perëndimor, por edhe për Europën”, deklaroi Balluku.