Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural fton qytetarët të bëhen ambasadorë të shëndetit të bimëve, duke rritur ndërgjegjësimin dhe duke ndërmarrë veprime konkrete për mbrojtjen e bimëve, kafshëve, njerëzve dhe mjedisit.
Sipas MBZHR-së, shëndeti i bimëve është themeli i sigurisë ushqimore dhe është i ndërlidhur me shëndetin e njeriut, kafshëve dhe mjedisit.
Bimët e shëndetshme sigurojnë dieta të pasura me lëndë ushqyese dhe ndihmojnë në ruajtjen e një ekuilibri të qëndrueshëm mjedisor.
MBZHR bën të ditur se, për herë të parë, Shqipëria i bashkohet fushatës ndërkombëtare PlantHealth4Life, së bashku me 26 shtete anëtare të BE-së, 5 vende në procesin e paraanëtarësimit dhe Zvicrën, me synimin për të rritur ndërgjegjësimin publik dhe për të nxitur reflektimin mbi rëndësinë jetike të shëndetit të bimëve për jetën tonë të përditshme.
Ministria e Bujqësisë shpreh angazhimin për veprime konkrete dhe përfshirjen e komunitetit në mbrojtjen e bimëve si faktor i rëndësishëm në mbrojtjen e jetës.
“Kjo fushatë inkurajon qytetarët e informuar që të ndajnë njohuritë e tyre, të frymëzojnë të tjerët dhe të kontribuojnë në përpjekjen kolektive për mbrojtjen e ekosistemeve dhe ekonomive tona”, nënvizon në njoftimin e saj MBZHR.