Shqipëria e vajzave bind në miqësoren ndaj Maqedonisë së Veriut, duke fituar me rezultatin 3-1 dhe duke u paraqitur mirë në sfidën e zhvilluar sot në stadiumin “Elbasan Arena”. Trajneri i Kombëtares së vajzave, Armir Grima e nisi ndeshjen me këtë formacion: Antigoni Hyska, Arbenita Curraj, Sara Maliqi, Mimoza Hamidi, Qëndresa Krasniqi, Megi Doçi, Luçije Gjini, Kristina Maksuti, Ezmiralda Franja, Armera Tukaj, Alma Hilaj. Shqipëria luan mirë në minutat e para të takimit, duke qarkulluar saktë topin, e duke tentuar edhe rrjetën kundërshtare. Miket kalojnë të parat në avantazh në minutën e katërt, me Natasha Andonovën, e cila provon nga jashtë zone dhe gjen rrjetën shqiptare, duke e gjetur të papërgatitur mbrojtjen dhe portën tonë. Vajzat kuqezi nuk dorëzohen, por tentojnë të gjejnë golin e barazimit. Kristina Maksuti i afrohet shumë pranë golit të baraspeshës, duke humbur një mundësi të artë në minutën e 10-të të takimit. Qëndresa Krasniqi i dhuron një top mjaft të mirë për të shënuar, por topi i gjuajtur nga Maksuti kalon shumë pranë shtyllës së majtë dhe nuk gjen rrjetën. Vajzat kuqezi të drejtuara nga trajneri Grima kanë kontrollin e lojës në minutat e ardhshme të takimit. Megi Doçi i afrohet golit sërish në minutën e 26-të, teksa pas një goditje dënimi, dërgon topin drejt portës, por që largohet nga mbrojtja kundërshtare. Dy minuta më vonë, Qëndresa Krasniqi hyn brenda zonës maqedonase, duke ftuar sërish Megi Doçin të godasë, por topi përfundon jashtë vijës fundore. Gjyqtarja kosovare akordon penallti për skuadrën tonë në minutën e 36-të, pas një ndërhyrje të Zhivikj ndaj Kristina Maksutit, duke e shtyrë brenda zonës. 11-metërshi merret përsipër nga kapitenia Megi Doçi, e cila nuk gabon dhe e çon topin në rrjetë, duke barazuar rezultatin në minutën e 37-të. Barazimi nuk i kënaq kuqezezat, të cilat kërkojnë avantazhin që në fraksionin e parë. Qëndresa Krasniqi ka një rast mjaft të mirë në minutën e 42-të, pas një pasimi të saktë të Mimoza Hamidin. E majta e Krasniqit kalon shumë pranë rrjetës kundërshtare, por përfundon jashtë. Edhe Kristina Maksuti ka një tjetër mundësi të artë për të kaluar në epërsi, por finalizimi është i gabuar, me topin që përfundon jashtë rrjete. Pjesa e parë mbyllet me barazimin 1-1. Trajneri Grima bën menjëherë tre zëvendësime, duke hedhur në fushë Viona Rexhepin, Endrina Elezajn dhe Matilda Gjergjin për Antigoni Hyskën, Luçije Gjinin dhe Armera Tukaj. Vajzat kuqezi bëjnë një pjesë të dytë të mirë, duke kontrolluar topin dhe loja luhet vetëm në gjysmëfushën kundërshtare në pjesën më të madhe të minutave. Maksuti, Krasniqi dhe Doçi i afrohen disa herë golit të avantazhit, por mungon finalizimi për vajzat kuqezi. Trajneri shqiptar bën edhe pesë zëvendësime të tjera në radhët e ekipit kuqezi, duke hedhur në fushë Gresa Berishën, Fortesa Berishën, Djellza Istrefaj, Vesa Paqarizin dhe Valentina Trokën. Goli i epërsisë për Shqipërinë vjen pikërisht nga sulmuesja e Apolonisë, Valentina Troka. Është kapitenia Doçi e cila asiston për Trokën, e cila kalon Shqipërinë në avantazh në minutën e 90. Ka kohë edhe për dy zëvendësime të tjera, me Bajraktarin dhe Metallën që hyjnë në fushë, në vend të Maliqit dhe Doçit. Valentina Troka realizon edhe golin e tretë për Shqipërinë dhe të dytin personal. Fortesa Berisha i dhuron një top mjaft të bukur Trokës brenda zonës, e cila nuk gabon dhe e çon në rrjetë, duke vulosur kështu shifrat 3-1. atsh