“Shqipëria është Biodiversitet” është një nismë e përbashkët e Fondacionit “Heinrich Böll Stiftung” me organizatën PPNEA dhe institucionet në vendin tonë, që synon mbrojtjen dhe ruajtjen e habitateve natyrore në Shqipëri. Në kuadër të kësaj nisme, në Tiranë u organizua një takim me nxënësit e Shkollës Gjermano-Shqiptare në Tiranë. Grupe nga klasa e katërt, gjashtë dhe shtatë, u njohën nga afër me speciet më të rrezikuara në Shqipëri. Ekspertë të mjedisit bashkëbiseduan me fëmijët për çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me mbrojtjen e kafshëve dhe biodiversitetit. Gjithashtu GIZ Shqipëri iu bashkua nismës për të sjellë në vëmendje lidhjen që ka keqmenaxhimi i mbetjeve me dëmtimin e habitateve të këtyre kafshëve. Kafshët nga natyra janë shumë kurioze dhe rastet e ngecjes, mbytjes apo gëlltitjes së mbetjeve janë gjerësisht të dokumentuara. Nxënësit ishin tepër të interesuar për makinërinë e shkrirje së plastikës PETKO dhe mënyrat e shumta të përdorimit të plastikës në printera 3D. Njohja dhe prezantimi me alternativat e materialeve plastike njëpërdorimshe ishte një tjetër moment reflekimi dhe mësimi për ta. GIZ Albania do të vijojë me ciklet për informimin dhe sensibilizimin e brezit të ri, në mbrojtje të biodiversitetit.