Një nga vendet e para në botë për prodhimin e verërave, Shqipëria është në mes të një revolucioni cilësor, pasi vreshtarët po përqafojnë varietetet vendase të rrushit, shkruan Samantha Maxwell për revistën e specializuar për kulturën dhe biznesin e pijeve ”SevenFiftyDaily”. ”Shqipëria ndodhet mes Malit të Zi në veri dhe Greqisë në jug. Pavarësisht mungesës së famës aktuale në skenën botërore të verërave, Shqipëria është një nga vendet më të vjetra prodhuese të verës në botë. Besohet se prodhimi i verës në Shqipëri filloi në Epokën e bronzit, rreth 3 000 vjet më parë. Që atëherë, një periudhë e gjatë e sundimit otoman, dy luftëra botërore dhe një regjim komunist – që efektivisht e izoloi vendin nga pjesa tjetër e botës deri në fillim të viteve 1990 – sakatoi industrinë e verës në Shqipëri. Në disa pika gjatë kësaj historie, prodhimi i verës ra me shpejtësi. Pjesa më e madhe e verës që prodhohej në vend gjatë sundimit komunist ishte me volum të lartë dhe me cilësi të ulët. Tani, mbi 30 vjet që nga rënia e diktaturës së vendit, industria e verës në Shqipëri po njihet globalisht. Sipas Dashamir Elezi, një sommelier dhe president i Shoqatës Shqiptare të Somelierëve, shumë nga prodhuesit e vendit kanë studiuar prodhimin e verës në vendet e afërta si Italia, Greqia, Franca dhe Gjermania, gjë që ka ndikuar në stilin e verërave të bëra si nga ato ndërkombëtare ashtu edhe ato vendase. Prodhimi është gjithashtu në rritje. Mes viteve 2000 dhe 2016, prodhimi i rrushit në Shqipëri u rrit mbi 250 për qind. Sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë, në vitin 2022, vendi prodhoi 3,03 milionë litra verë, 46,4 për qind e së cilës u eksportua, kryesisht në vende të tjera evropiane. Eksportet drejt SHBA kanë qenë sporadike dhe të përqendruara në Teksas dhe Miçigan, por pritet të rriten në vitet e ardhshme. Ndërsa industria e verës në Shqipëri vazhdon të rritet, disa nga prodhuesit e vendit shpresojnë të arrijnë një audiencë më të gjerë përmes turizmit. “Rritja e turizmit është një shenjë e mirë, pasi mentaliteti i turistëve është të konsumojnë në vend dhe të zbulojnë kulturën vendase, veçanërisht ushqimin dhe verën”, thotë Ermira Çobo, vajza e madhe e familjes Çobo, pronare e komapnisë ”Çobo” në Berat. Drejtuesit e industrisë janë gjithashtu në një mision për të edukuar më shumë konsumatorë për verën shqiptare. “Gjëja më e rëndësishme është që njerëzit të kuptojnë se këto janë verëra mesdhetare”, thotë Bujar Yuri Tukuli, ambasadori shqiptar i verës dhe themeluesi i ”Ditës së Verës” dhe importues shqiptar i verës në Irving, Teksas. Kjo është një kohë emocionuese për Shqipërinë, ajo që do të vendosë standardet për pamjen e verës shqiptare për brezat që do të vijnë. “10, 15, 20 vitet e ardhshme kanë të bëjnë me gjetjen e xhevahireve të vërteta të territorit dhe varieteteve vendase të rrushit”, thotë Tukuli. Rajonet kryesore të verërave Megjithëse Shqipëria është një vend relativisht i vogël, ajo krenohet me një gamë të gjerë kushtesh për kultivimin e rrushit. “E bukura e verërave nga Shqipëria është se ato nuk duhet të keqkuptohen”, thotë Tukuli. “Janë 100 për qind verëra të Mesdheut dhe ndikohen nga deti Adriatik ose Jon dhe janë 100 për qind verëra kontinentale nëse jeni në kufi me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe me ndikim nga liqenet natyrore të Ohrit dhe Prespës dhe malësitë e brendshme”, thekson ai. Aktualisht, Shqipëria nuk ka asnjë rajon të caktuar gjeografikisht të verës, por zonat e prodhimit të verës në vend mund të kategorizohen në rajone veriore, qendrore dhe jugore. Megjithatë, këto rajone nuk janë të specifikuara dhe disa ekspertë i zbërthejnë ato ndryshe. ATSH
Shqipëria drejt një revolucioni cilësor verërash
RELATED ARTICLES