Shqipëria po hedh një hap të rëndësishëm drejt integrimit rajonal dhe digjitalizimit të tregut me miratimin në Kuvend të projektligjit “Për ratifikimin e vendimit nr. 2/2024 të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), “Për lehtësimin e tregtisë elektronike””.

Ky vendim synon krijimin e një kuadri të harmonizuar ligjor për tregtinë elektronike ndërmjet vendeve anëtare të CEFTA, duke garantuar lëvizjen e lirë të shërbimeve të shoqërisë së informacionit, mbrojtjen e konsumatorit dhe rritjen e besimit në transaksionet digjitale.

Ky vendim rregullon të drejtat e konsumatorëve në kontratat në distancë dhe online mes palëve të CEFTA, duke vendosur standarde të përbashkëta.

Konsumatori duhet të informohet qartë para lidhjes së kontratës, ka të drejtë të tërhiqet brenda 14 ditëve pa arsyetim, mallrat duhet të dorëzohen brenda 30 ditëve me kalimin e rrezikut pas dorëzimit, tarifat shtesë duhet të njoftohen paraprakisht, përcaktohen kërkesat për përputhshmërinë e mallrave dhe shërbimeve digjitale dhe asnjë kusht kontraktor nuk mund të kufizojë të drejtat e konsumatorit sipas këtij vendimi.

Zbatimi i vendimit të CEFTA pritet të sjellë përfitime konkrete për Shqipërinë përfshirë përmirësimin e legjislacionit për mbrojtjen e konsumatorëve, promovimin e zgjidhjes jashtëgjyqësore të mosmarrëveshjeve në fushën digjitale, si dhe forcimin e bashkëpunimit administrativ ndërmjet autoriteteve përkatëse të vendeve anëtare.

Vendimi i Komitetit të Përbashkët të CEFTA u miratua më 9 tetor 2024 dhe konsiderohet si një hap domethënës për zhvillimin e tregut të përbashkët digjital në rajon, në përputhje me acquis-në e Bashkimit Evropian, duke kontribuar në një klimë më të sigurt dhe më të integruar për tregtinë elektronike në Ballkanin Perëndimor.