Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALENDERKOMBETARE Shqipëria do të vijojë të kontribuojë për sigurinë e paqen në rajon

 Shqipëria do të vijojë të kontribuojë për sigurinë e paqen në rajon

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi mori pjesë në Ministerialin e Mbrojtjes në kuadër të iniciativës rajonale SHBA-Karta e Adriatikut (A5), që u kryesua nga Maqedonia e Veriut. Në fokus të diskutimeve ishin çështjet aktuale të sigurisë dhe mbrojtjes së rajonit të Ballkanit dhe më gjerë. Në një sesion të dedikuar iu kushtua një rëndësi e veçantë, angazhimit në kuadër të kësaj iniciative, implementimit të konceptit të rivitalizimit të kartës së Adriatikut, angazhimit të përbashkët në misionet e NATO-s për ruajtjen e sigurisë dhe mbështetjen e paqes, bashkëpunimit rajonal në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes si dhe kontributit në sigurinë globale. Peleshi, gjatë fjalës së tij u shpreh se Shqipëria do të vijojë të kontribuojë për stabilitetin, sigurinë dhe paqen në rajon, të cilat arrihen duke promovuar dialogun politik, fqinjësinë e mirë si dhe adresimin e çështjeve të nxehta dypalëshe ose shumëpalëshe, bazuar dhe në respekt të marrëveshjeve dhe legjislacionit ndërkombëtar, pasi rajoni i Ballkanit Perëndimor është një faktor kyç gjeostrategjik për NATO-n dhe Bashkimin Europian. Duke qenë se kryesimin e SHBA-Karta e Adriatikut për vitin 2024 do ta marrë Shqipëria, Ministri Peleshi, u garantoi vendeve pjesëmarrëse se Ministria e Mbrojtjes do të jetë tërësisht e angazhuar që të përmbushë të gjitha detyrimet ndaj kësaj iniciative, të rrisë vizibilitetin dhe rëndësinë e Kartës së Adriatikut, të promovojë “Politikën e Dyerve të Hapura”, si një nga principet themelore të këtij angazhimi rajonal. Në këtë perspektivë, ministri Peleshi u kërkoi vendeve anëtare të A5 të pranojnë kërkesën e Kosovës për t’u anëtarësuar me të drejta të plota në këtë iniciativë. Gjatë punimeve të këtij Ministeriali, Peleshi zhvilloi një takim dypalësh me Celeste Wallander, Asistente Sekretare e Mbrojtjes të SHBA-ve për Çështjet e Sigurisë Ndërkombëtare. Peleshi e njohu Wallander, mbi rolin dhe kontributin e vendit në Aleancë duke i kushtuar vëmendje të veçantë rolit të Shqipërisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Gjithashtu ministri Peleshi zhvilloi një takim me Ministrin e Mbrojtjes të Kosovës, Ejup Maqedonci, me të cilin diskutoi çështje të interesit të përbashkët në kuadrin bilateral dhe atë rajonal . Iniciativa rajonale SHBA-Karta e Adriatikut (A5), cilësohet si një nga iniciativat rajonale më të rëndësishme. Në këtë takim morën pjesë ministra dhe përfaqësues të ministrive të mbrojtjes nga Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kroacia, SHBA si dhe Sllovenia, Kosova dhe Serbia.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments