Shqipëria do të ketë flotën e saj të dronëve Bayraktar me bazë ajrore në bazën e Kuçovës. Marrëveshja është firmosur sot (20 dhjetor) mes Shqipërisë dhe Turqisë në Tiranë, ku fillimisht vendi ynë do të marrë 3 donë Bayraktar dhe më pas do të vijojë me zgjerimin e flotës. Kryeministri Edi Rama tha se këto dronë janë të teknologjisë më të lartën dhe do të shërbejnë për ruajtjen e sigurinë kombëtare dhe mbrojtjen e monitorimin e territorit. Këto dronë, tha Rama, do të ndihmojnë institucionet e vendit në një qeverisje më të mirë. “Sot është një ditë shumë e mirë për marrëdhënien tonë, për forcat e armatosura dhe ministritë tona të mbrojtjes. Këto dronë do të jenë ndihmë për institucionet tona për një qeverisje më të mirë. Këto dronë janë pajisje ushtarake por shpresojmë që të mos përdoren kurrë për një qëllim të tillë, por do të shërbejnë që nga lufta kundër kanabisit, te zjarret dhe monitorimi i territorit me mjetet e teknologjisë më të lartë. Falenderoj presidentin Erdogan, i cili ka qenë thelbësor në këtë proces. Kur vjen fjala për mjetet pa pilotë, nuk ka të bëjë vetëm me të pasurit e parave, por ka të bëjë dhe me faktin që të jesh i aftë që të kalosh radhë e të shtysh në radhë, sepse radha është shumë e gjatë. Ne jemi krenarë që bashkë me Turqinë jemi në krahun e duhur, të rreshtuar në bashkësinë euroatlantike të NATO-s”, tha Rama. Për vënien në punë të këtyre dronëve do të përzgjidhen 30 persona nga kompani e cila do të bëjë trajnimet e duhura dhe të vendosë bazën ajrore të dronëve në Kuçovë. “Më shumë se 30 persona që do përzgjidhen me shumë kujdes me ndihëm e kompanisë bajraktar që do vihen në një trajnim dhe do përgatiten për të marrë funksionin e qendrës së kontrollit që do jetë objekt i teknologjisë më të lartë në bazën ajrore të Kuçovës”, tha Rama.https://lajme.rtsh.al/artikull/firmoset-marreveshja-me-turqine-shqiperia-blen-3-drone-bayraktar-rama-baza-ajrore-e-tyre-do-jete-ne-kucove