Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi e konsideroi sot thelbësor angazhimin dhe përkushtimin e efektivëve shqiptarë në 8 misione ndërkombëtare të rëndësishme për sigurimin e paqes dhe stabilitetit rajonal. “Dyfishimi i pagave për efektivët e Forcave të Armatosura në misionin e KFOR në Kosovë tregon qartë angazhimin tonë për të vlerësuar punën e tyre në mënyrë të drejtë. Vazhdojmë të punojmë për të siguruar një rritje të përgjithshme të pagës për të gjithë personelin tonë në misione”, u shpreh ministri. Peleshi theksoi se “Shqipëria është eksportuese e paqes dhe aleate dinjitoze në NATO”.
Këshilli i Ministrave vendosi disa ditë më parë shtyrjen deri në 31 dhjetor 2027, të pjesëmarrjes së Forcave të Armatosura të Shqipërisë në operacionin ushtarak ndërkombëtar KFOR në Kosovë. Gjithashtu në vendim ndryshon edhe dieta për ditët e qëndrimit, pasi nga 6 000 lekë në ditë shkon në 12 mijë lekë në ditë, përveç pagës mujore. Vendimi parashikon se periudha e qëndrimit në mision për çdo përfaqësues do të jetë me sistem rotacioni çdo 6 muaj dhe 1 vit për postin ACOS SPT, periudha, të cilave u shtohen edhe ditët e qëndrimit për ndërrimin me kontingjentin e radhës (marrje dhe dorëzim detyre, vonesa të transportit strategjik).