Ikona “Krishti i Gjithëpushtetshëm” është pjesë e fondit të Muzeut Kombëtar të Ikonografisë “Onufri”, në Berat. Ikona është vepër e mjeshtrit Onufri dhe është realizuar në shekullin e 16-të.
“Krishti i Gjithëpushtetshëm” është pjesë e ikonostasit të Katedrales “Fjetja e Shën Mërisë”. Vepra madhështore kaloi një proces restaurimi që i ka rikthyer detajet dhe bukurinë e saj të rrallë.
Së shpejti, publiku do ta shijojë nga afër në ekspozitën e muzeut.
Ikonostasi i katedrales konsiderohet si një ndër veprat më të mira të krijuara nga mjeshtrit shqiptarë të drugdhendjes. Zbukurimet e ikonostasit paraqesin disa karakteristika dhe parime të stilit barok, një prirje mbizotëruese dhe dalluese e kishave të ndërtuara në Ballkan gjatë shekujve XVIII dhe XIX. Të gjitha këto motive janë të gërshetuara me elementë të tjera të traditës bizantine.
Koleksioni i muzeut “Onufri” përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit.