Në furinë e ditëve tona, orët e ngrënies shpesh përfundojnë të sakrifikuara për shkak të nxitimit ose mungesës së organizimit, shkruan focus.it. Por anashkalimi i mëngjesit, drekës apo darkës nuk është një zakon pa pasoja: sipas një studimi të ri, ndërprerja në rimbushjen e energjisë në trup mund të ketë edhe efekte shumë serioze në shëndet. Kursimi i kohës por shkurtimi i jetës. Studimi, i kryer mbi të dhënat nga më shumë se 24 000 amerikanë mbi moshën 40 vjeç, zbuloi se kufizimi i vetes në vetëm një vakt të vërtetë gjatë ditës lidhet me një rrezik më të lartë të vdekshmërisë së hershme. Po ashtu anashkalimi i mëngjesit lidhet me një rrezik më të lartë të vdekjes nga problemet e zemrës ose enëve të gjakut, ndërsa anashkalimi i drekës ose darkës lidhet me një gjasë më të lartë për të vdekur herët nga shkaqe të ndryshme, duke përfshirë ato kardiovaskulare. Përfundimet, të publikuara në Journal of the Academy of Nutrition and Dietetics, vënë në pikëpyetje përfitimet e praktikës së agjërimit me ndërprerje dhe nënvizojnë rëndësinë e kushtimit të kujdesit dhe vëmendjes ndaj ushqyerjes së trupit në kohë. “Studimi ynë zbulon se njerëzit që hanë vetëm një vakt në ditë kanë një rrezik më të lartë të vdekjes së hershme sesa ata që hanë vakte të shumta gjatë ditës”, tha Yangbo Sun, një epidemiolog në universitetin e Tenesit dhe një nga autorët e studimit. Problemet lindin kur anashkalimi i vakteve bëhet zakon, siç ishte rasti për 30% të pjesëmarrësve në studim. Zakoni i heqjes dorë nga vaktet është më i zakonshëm tek ata që pinë më shumë duhan dhe pinë më shumë alkool, tek ata që nuk kanë akses në ushqim të mjaftueshëm me vlera ushqyese, tek njerëzit që konsumojnë më shumë ushqime të lehta dhe ushqime jo të shëndetshme, të cilat japin më pak energji. Studimi nuk hetoi mjaftueshëm thellë për të përcaktuar nëse anashkalimi i vakteve është shkaku i drejtpërdrejtë i vdekshmërisë së hershme dhe problemeve kardiovaskulare. atsh