Sot shënohet 20-vjetori i ndarjes nga jeta të shkrimtarit dhe publicistit, Teodor Keko. Teodor Keko, i biri i regjisorëve të kinematografisë Endri dhe Xhanfize Keko, u lind në Tiranë më 2 shtator 1958. Keko ndoqi studimet e larta në Universitetin e Tiranës në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Në fillimet e tij punoi si gazetar në gazetën letrare “Drita”, dhe në gazetën e përditshme “Koha jonë”, më vonë ka punuar në gazetën “Aleanca” si redaktor. Për një periudhë kohe ka qenë pjesëtar i parlamentit shqiptar. Teodor Keko i filloi publikimet e tij në vitin 1980 dhe është autor i 15 volumeve në zhanre të ndryshme si, poezi, dramë, novelë si dhe tregimeve të shkurtra. Krijimtaria Në mes të tjerash publikime të Teodor Kekos janë: “Loja” 1990 “Lajmëtarja e vdekjeve” 1991 “Pretenca”1994 “Shënimet e një gruaje” 1995 “12 Shenjtore një profet dhe disa njerëz” 1997 “Made in Albania” 1998 “Hollësira fa tale” 2001. Poezi – 2013 Poezi nga Teodor Keko ME MUNDON Më mundon kjo ndjenjë e pathënë, fjalët ti m’i ktheve në harrim, në qiell është hëna, s’i them dot hënë s’të flas dot për mjegullën në agim. Më mundon kjo ndjenjë e pathënë, në gjoks ti vër çdo fjalë në vend të saj. Pastaj do të përkund në një djep-këngë, me hënën flokëve si karficë e bardhë. Dhe nëse rrugët për në zemër dot s’i gjen, më thuaj të t’i zgjas gishtërinjtë e mi. Mbi ta mbështete kokën, dhe për një çast ti pendë do të kthehesh, brenda meje do të vërtitesh, shpirt! Më mundon kjo ndjenjë e pathënë, kur ti je kaq pranë dhe kaq e thjeshtë, u këput një gjethe nga një pemë, e verdhë si harresa … ishte vjeshtë.