Shkolla profesionale Hoteleri-Turizëm, partneritet me ekselentët zviceranë “EHL Group”

0
2

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ftoi sot nxënësit të regjistrohen në shkollën profesionale Hoteleri-Turizëm Tiranë, tanimë në partneritet me ekselentët e shkollës zvicerane të hotelerisë “EHL Group”.

“Deri më 30 shtator mund të zgjidhni një prej drejtimeve të ofruara nga VET by EHL Group, lider në botë në edukim në fushën e hotelerisë si në kuzhinë, hoteleri apo shërbime ushqimi dhe pije”, bëri të ditur ministri.

Gonxhja u shpreh se ky bashkëpunim do të rrisë nivelin e përsosmërisë të studentëve edhe në këtë industri, duke pasuruar edukimin tradicional të hotelerisë dhe modelet e biznesit me vlerat e së nesërmes.

EHL është shkolla e parë hoteliere në botë, e themeluar në 1893 si Ecole hôtelière de Lausanne, duke u renditur në vitin 2024 për të gjashtin vit radhazi si shkolla më e mirë e hotelerisë në botë.

“Nxënësit do të marrin mësime nga mësues të trajnuar nga EHL Group dhe jo vetëm, profesionistë të sukseshëm në fushat që operojnë. Mësimdhënie efektive në kushte bashkëkohore. Praktikat mësimore so të zhvillohen pranë bizneseve më me zë të Tiranës.
Praktikat do të nisin që prej klasës së 10-të”, u shpreh Gonxhja.

Certifikatat e lëshuara nga VET by EHL për çdo nivel të përfunduar me sukses, janë të njohura ndërkombtarisht.

Regjistrimi kryhet përmes e-Albania, në shërbimin “Regjistrim në klasë të dhjetë”, Shkolla Hoteleri-Turizëm Tiranë.