“Paganini Reloaded” titullohet shfaqja e interpretuar nga nxënësit e shkollës së “Baletit” në Tiranë mbrëmjen e djeshme në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Me një interpretim shpërthyes dhe drithërues përmes koreografisë së baletmaestros Patrick de Bana, nxënësit e talentuar u duartrokitën gjatë nga publiku i pranishëm në sallë. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti e pranishme në këtë ngjarje kulturore tha se “ishte një shfaqje emocionuese e nxënësve të Shkollës së Baletit, që na dha shpresë për të ardhmen e skenës sonë”. “Faleminderit mjeshtrit Patrick de Bana për koreografinë e bukur, me motive të folkut shqiptar”, u shpreh Margariti. Ndërsa drejtoresha e shkollës së Baletit, Blerina Arbana e cilësoi një shfaqje me emocione madhështore nga nxënësit e kësaj shkolle. Kjo shfaqje u realizua nga shkolla e “Baletit” me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës. atsh