Në Shkollën e Mesme me orientim gjuhësor “Asim Vokshi” në Tiranë, falë laboratorëve të rinj nxënësit kanë tashmë mundësinë të shfaqin talentin e të angazhohen me projekte të shumta.
“Kompjuterët e instaluar në laboratorë janë të një cilësie bashkëkohore, tek të cilët nxënësit mund të zhvillojnë mësë miri aftësitë e tyre në fushën e teknologjisë. Tashmë mësimi i TIK-ut zhvillohet me komoditetin dhe produktivitetin më të lartë si për nxënësit, po ashtu edhe për ne si mësues të TIK-ut”, shprehet Valentina Daci, mësuese e TIK-ut pranë kësaj shkolle.
Shkolla e Mesme me Orientim Gjuhësor “Asim Vokshi” në Tiranë është një objekt arsimor i riparuar dhe përforcuar plotësisht falë programit “EU4Schools- BE për shkollat”.
Nxënësit dhe mësuesit e kësaj shkolle u “rikthyen në shtëpinë e tyre” në janar të këtij viti, duke lënë pas “turnin e pasdites” për të ndjekur procesin mësimor në mjedise bashkëkohore dinjitoze, të cilat i motivojnë tashmë ata për të bërë më të mirën në të ardhmen.
Me 750 nxënës dhe 62 mësues si përfitues të drejtpërdrejtë, shkolla “Asim Vokshi” është një prej 57 objekteve arsimore të përfunduara deri tani në kontekstin e “EU4Schools” dhe një prej 7 institucioneve arsimore në fokusin e këtij programi për bashkinë e Tiranës.
EU4Schools financohet nga European Union in Albania me 75 milionë euro dhe zbatohet nga UNDP Albania. Projekti po rindërton ose riparon më shumë se 60 objekte arsimore në 11 bashkitë më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, 2019-të, me përfitues të drejtpërdrejtë 25 000 nxënës, mësues dhe fëmijë.