Shkodra po kthehet gjithnjë e më tërheqëse në sytë e turistëve vendas e të huaj jo vetëm për atraksionet historike, por tashmë edhe për sportet e aventurës me varka.

Tashmë Shkodrës me bukuri të shumta natyrore dhe historike i është shtuar dhe lundrimi me kanoe, varka, padle boards duke u kthyer në turizmin e aventurës për turistët që e vizitojnë çdo vit.

Në lundrimin me kanoe në lumin Buna mund të vëzhgosh shpendët të cilët ndodhen anës lumit. Në kallamishte ka disa lloje: çafka e vogël të bardhë (Egretta garzetta); pula e ujit (Gallinula chloropus); kllinza e zallit (Tringa glareola) apo shumë baltakë të tjerë që mund të vrojtohen lehtësisht me sy ose me mjete optike, teleskop apo dylbi.

Liqeni i Shkodrës ofron mundësi argëtimi dhe kënaqësie për të gjithë turistët që dëshirojnë të shijojnë turizmin aktiv. Ai është liqeni më i madh në Gadishullin e Ballkanit dhe shtrihet në kufirin ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ekosistemi i liqenit ushqen faunën dhe florën e pasur dhe unike, duke e shndërruar atë në një qendër të rëndësishme biodiversiteti në Evropë.