Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela zhvilloi një takim me kryetarin e bashkisë së Shkodrës, Benet Beci mbi ecurinë e sezonit turistik dhe performancën e eventeve artistike e kulturore, që u ndërlidhën përmes Aplikacionit TEA. Gjatë takimit të zhvilluar në bashkinë e Shkodrës, Çela dhe Beci diskutuan edhe mbi Kalendarin Kombëtar të Eventeve të Turizmit Kulturor dhe Traditës, si një nga risitë e këtij sezoni. “Ky kalendar ka pasur një kontribut të prekshëm dhe të drejtëpërdrejtë në pasurimin e ofertës turistike jo vetëm të rajonit të Shkodrës, por të gjithë Shqipërisë me aktivitete që promovuan festat lokale, kulinarinë, historinë dhe traditën”, tha Çela. Drejtoresha e AKT-së u shpreh se “si qytet i traditave të bukura, Shkodra duhet të jetë një pol i rëndësishëm i turizmit kulturor”. “Dakordësuam që eventet e kalendarit turistik të organizohen në dobi të rritjes së audiencave turistike, me bindjen se Shkodra përcjell një pritshmëri të lartë edhe për sezonin turistik të vitit të ardhshëm”, tha Çela. TEA është aplikacioni i parë i krijuar në Shqipëri, si kalendari i parë digjital për eventet e turizmit kulturor, sporteve dhe të traditës, i disponueshëm në Apple Store dhe në Play Store. Në aplikacionin TEA pasqyrohen eventet e kategorive të ndryshme si Art Fest, Trashëgimi Kulturore, Festivale Muzikore, Sport, Koncerte, Folklor, Festa Lokale, Arte Pamore, Agroturizëm e Kulinari dhe Teatër.