Në deklaratë, theksohet se ky proces bazohet në një metodologji të qartë dhe kritere të mirëpërcaktuara, duke garantuar që çdo bust, monument apo strukturë përkujtimore e re të ketë vlerë historike dhe artistike dhe të përshtatet me kontekstin urban të qytetit.
“Ndërkohë, qyteti i Shkodrës është shndërruar në një mozaik të paorganizuar strukturash përkujtimore, si buste, memoriale dhe emërtime rrugësh, shpesh të vendosura pa një proces të qartë konsultimi. Për këtë arsye, me iniciativën e Kryetarit të Bashkisë, është ngritur një grup pune për hartimin e një rregulloreje të qartë dhe të drejtë mbi vendosjen e busteve dhe monumenteve në hapësirat publike të qytetit”, thotë Lesha.
Përfaqësuesi i bashkisë i siguron banorët e Dukagjinit, se busti i Lekë Dukagjinit do të vendoset në Shkodër, duke respektuar ligjin dhe sapo kjo rregullore që ka mbetur “peng” për shkak se këshilltarët e opozitës kanë kërkuar më shumë kohë për shqyrtimin e saj të marrë formën e saj ligjore.
“Sapo kjo rregullore të marrë formën e duhur ligjore, çdo kërkesë, përfshirë edhe atë për vendosjen e bustit të Lekë Dukagjinit do të shqyrtohet në përputhje me kriteret dhe procedurat ligjore përkatëse.
Bashkia Shkodër nuk do të lejojë që procesi i vendosjes së strukturave përkujtimore të ndikohet nga presione apo deklarata mediatike. Qyteti nuk mund të shndërrohet në një vend ku buste dhe memoriale vendosen sipas dëshirave individuale apo të grupeve të caktuara. Institucionet dhe organet përkatëse do të ndjekin procedurat ligjore dhe profesionale për të siguruar që vendimet të jenë në interes të qytetit dhe trashëgimisë së tij kulturore. Ajo që mund të sigurojmë banorët është se busti i Lekë Dukagjinit do të vendoset në Shkodër, duke respektuar ligjin dhe në përputhje me figurat e tjera të shquara të kombit tonë”, pohoi zyrtari i bashkisë së Shkodrës