Aktiviteti u hap me shpjegime teorike, ku ekspertët argumentuan çdo ndërhyrje të planifikuar para punës në terren. U trajtuan në mënyrë të detajuar parimet e krasitjes formuese për ullinjtë e rinj dhe krasitjes prodhuese për ullinjtë e rritur, duke evidentuar edhe gabimet më të shpeshta që ndikojnë në shëndetin dhe rendimentin e ullishtes.
Pjesëmarrësit morën gjithashtu udhëzime mbi shërbime të tjera agronomike, përfshirë plehërimin, punimin e tokës dhe trajtimet fitosanitare në ullishte dhe pemëtore. Demonstrimi ofroi mundësi për të diskutuar praktikat më të mira dhe për të marrë këshilla të drejtpërdrejta nga specialistët e QTTB Vlorë dhe AREB Shkodër.
QTTB Vlorë konfirmoi angazhimin e saj të vazhdueshëm në mbështetjen e fermerëve, duke ofruar asistencë teknike dhe njohuri moderne për rritjen e rendimentit dhe cilësisë së prodhimit bujqësor.





