Shkodër, përmirësohet sinjalistika në sitet dhe pasuritë kulturore

0
13

DRTK Shkodër ka vendosur tabela shpjeguese/orientuese në Kishën e Shën Premtes, Balldren (shek.XIV) dhe Kishën e Shën Venerandës, Pllanë (Shek.XIV-XVII), në vijim të punës dhe kujdesit për përmirësimin e sinjalistikës së brendshme në sitet dhe pasuritë kulturore. Informacioni i përditësuar orientues në dy gjuhë (shqip dhe anglisht) do t’u vijë në ndihmë vizitorëve vendas dhe të huaj, për të mësuar më shumë mbi historinë mesjetare të objekteve të kultit. Kisha e Shën e Premtes ndodhet në fshatin Balldre, ndërtuar mbi kodrën shkëmbore të një vendbanimi mesjetar. Burimet historike shënojnë në fshatin Balldre (balli i Drinit) që nga mesjeta, popullsi të ardhur nga alpet e veriut (Kelmendit). Ndërtimi i kishës tregon përkushtimin dhe funksionin fetar të këtij komuniteti dhe më gjerë në luginën e poshtme të lumit Drin. Kisha është e stilit gotik, por mendohet që në vitin 1462 të ketë pësuar një restaurim, sipas një mbishkrimi të vendosur në anën e jashtme të Apsidës. Arkitektura e kishës së Shën e Premtes e ka origjinën në shek. XIV-XV-të. Planimetria e saj është e thjeshtë, njënefëshe në formë drejtkëndore me aksin gjatësor të theksuar dhe e mbuluar me qemerë guri, prerja e të cilës është hark me majë, tipike e gotikut. Me të njëjtin lloj harku janë edhe dyert e dritaret origjinale një pjesë e të cilave janë të murosura. Nga gërmimet e viteve 1985-86 në pjesën jugore të kishës janë evidentuar mure dhe një Apsidë, vazhdim i ekzistueses, duke përcaktuar në këtë mënyrë se forma planimetrike origjinale ka qënë e përbërë në dy Anijata dhe dy Apsida. Edhe kisha e Shën Venerandës, është Monument Kulture, e shpallur si e tillë në 1963. Ajo gjendet në Pllanë të Lezhës. Kishat e Lezhës ishin të ritit benediktin dhe falë marrëdhënieve të mira të Papatit të Romës me Monolin (1153) vendimet merreshin direkt nga Papati. Në anën e jashtme kisha është trajtuar thjeshtë, ndërtuar me gurë të papunuar gëlqerorë dhe shtufi. Narteksi është i hapur e i rrethuar me arkada mbi pilastër me prerje katrore, me muraturë, me tulla të kuqe. Dera kryesore e kishës ndodhet në faqen perëndimore, një tjetër derë ndodhet në pjesën qendrore të faqes veriore të Naosit. Në faqen lindore ka një apsidë rrethore të madhe e të lartë, si dhe dy nike të vogla anash. Kisha ndriçohet prej 7 dritaresh, të cilat janë me hark dhe një është rrethore. Naosi mbulohet me tavan druri, i cili vazhdon pa ndërprerje edhe në pjesën e Mafilit. Kisha përmendet në dokumente historike të shek të XVII-të, ku kalon në vartësinë e peshkopatës së Lezhës, Krujës apo Durrësit. ATSH