Beci tha se, reshjet e borës vazhdojnë të jenë të pranishme, ndërsa në zonat malore të territorit të Bashkisë Shkodër ka pasur një ulje të ndjeshme të temperaturave.
Sipas tij, aksi rrugor Bogë – Bregu i Lumit është i kalueshëm ndërsa aksi rrugor Kir – Shosh është i bllokuar për shkak të shembjeve të dheut dhe reshjeve të borës.
Beci informoi se, Njësitë Administrative Shalë dhe Shosh janë pa energji elektrike. Probleme me furnizimin me energji janë raportuar edhe në Nj. A. Postribë, Rrethina, Gur i Zi, Velipojë, Ana e Malit. Grupet e OSHEE-së ndodhen në terren për riparimin e defekteve të shkaktuara nga moti i keq, përfshirë reshjet e borës dhe stuhitë e erës.
Ai i bëri apel drejtuesve të automjeteve të kenë kujdes gjatë qarkullimit në zonat malore ku duhet të përdorin vetëm goma dimërore dhe zinxhirë.
“Duke marrë parasysh kushtet e vështira atmosferike dhe rreziqet e mundshme, u bëjmë thirrje qytetarëve dhe udhëtarëve të kontrollojnë gjendjen e automjeteve të tyre dhe të shmangin udhëtimet e panevojshme për të minimizuar çdo rrezik që mund të sjellë moti i keq”, tha ai.