Projekti parashikon ndërtimin e një linje të re ujësjellësi me gjatësi 70 kilometra, nga i cili do të përfitojnë rreth 5,500 banorë.

Zonat që përfshihen në këtë investim janë Golemi, Dobraçi si dhe disa lagje të Rajonit nr. 2 në qytetin e Shkodrës. Projekti synon të garantojë furnizimin e qëndrueshëm me ujë të pijshëm për banorët, duke zgjidhur përfundimisht një problem të kahershëm që ka ndikuar në cilësinë e jetesës së komunitetit.

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ndau në rrjete sociale pamje nga puna që po realizohet në këtë investim, teksa theksoi rëndësinë e projektit për mirëqenien e qytetarëve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonës.

“Ky është një investim që i jep zgjidhje një prej problemeve më të vjetra të qytetit tonë – mungesës së ujit të pijshëm në disa lagje. Falë mirëkuptimit dhe bashkëpunimit të banorëve gjatë kohës së punimeve, po arrijmë të ndërtojmë një sistem të ri, modern dhe të besueshëm furnizimi me ujë”, u shpreh Beci.

Gjatë punimeve, janë ndërmarrë ndërhyrje në disa segmente rrugore, por banorët kanë treguar mirëkuptim dhe durim, të vetëdijshëm për rëndësinë afatgjatë të këtij investimi.

Ky projekt është pjesë e angazhimit të Bashkisë Shkodër për përmirësimin e infrastrukturës bazë dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve publike për të gjithë qytetarët.