Falë riorganizimit të programeve të studimit, që kanë ndodhur në profilet e fizikës dhe kimisë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës ka shënuar një rritje të numrit të të regjistruarve krahasuar me një vit më parë.
Dekania, Eglantina Kalluci sqaron se matematika ka më shumë kandidatë të regjistruar.
“Në degët prioritare kemi pasur një numër regjistrimesh në rritje krahasuar me një vit më parë. Mesatarja apo cilësia e studentëve të regjistruar në këto programe studimesh është relativisht më e lartë. Matematika ka një rritje më të madhe, në përfundim të raundit të parë janë regjistruar gati dyfishi i maturantëve të një viti më parë”, u shpreh Kalluci.
Përsa i përket tregut të punës, pjesa më e madhe e të rinjve që përfundojnë studimet punësohen më shumë në sektorin jopublik.
Programi i studimit “Master Shkencor Mësues i Matematikës, gjithashtu njeh ndryshime përsa i përket interesit në rritje.
“Deri tani programet e mësuesisë janë programe të cilat janë më të suksesshme dhe kanë numrin më të lartë të studentëve në Fakultetin e Shkencave”, tha ajo.
Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës këtë vit janë hapur edhe programe të reja në Departamentin e Biologjisë, në bashkëpunim me Universitetin e Tushes (Tuscia)në Itali, ku tashmë grupi i parë i studentëve kanë mundësinë e pajisjes me dy diploma.