Shiroka, një nga lagjet më të bukura të Shkodrës, edhe në këto ditë dimri tërheq vëmendjen e vizitorëve vendas, por edhe të atyre më të largët.
Vitet e fundit në Shirokë janë kryer investime të cilat i kanë ndryshuar faqen, duke i dhënë një rrugë të re, pedonalen, brigjeve të liqenit, rehabilitimin e plazheve të vogla dhe së fundmi edhe moli për varkat lundruese.
Ajri i freskët, që vjen nga thellësitë e Alpeve, filtrohet në ujërat e liqenit dhe vjen i shëndetshëm këtu, duke e bërë Shirokën një nga joshjet më të veçanta për të kaluar disa orë ndryshe për shkodranët, por edhe për turistët vendas dhe të huaj.
Shiroka, e njohur edhe për vetitë kuruese, ka një histori qindravjeçare dhe kjo mund të vërtetohet nga disa zbulime arkeologjike, në vendin e quajtur “Ullini i vetun”, të cilat sot gjenden në muzeun e qytetit.