Investimet e viteve të fundit i kanë dhënë një pamje tjetër Shirokës.
Duke filluar nga rruga e re, pedonalja pranë bregut të liqenit, rehabilitimi e plazheve të vogla si dhe moli për varkat lundruese janë disa nga investimet e kryera së fundmi nga qeveria në Shirokë.
Shiroka ka histori qindravjeçare dhe kjo mund të vërtetohet nga disa zbulime arkeologjike, që janë bërë në afërsi të saj, në vendin e quajtur “Ullini i vetun”, në vitin 1959, të cilat sot gjenden në muzeun e qytetit.
E njohur që në shekullin e 19-të për aftësitë kurative, Shiroka shumë shpejt do të bëhej një nga zonat më të famshme në vend. Kjo zonë turistike shquhet për florën dhe faunën e pasur, ku jetojnë në harmoni shumë lloje bimësh, peshqish, shpendësh dhe kafshësh. Pjesa më e madhe e faunës përbëhet nga shpendët.
Me natyrën, historinë dhe investimet e reja, Shiroka po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një prej destinacioneve më tërheqëse turistike në vend.





