Shërbimi i dermatologjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është pajisur me aparaturën e re të dermatoskopit.Kjo aparaturë e fjalës së fundit të teknologjisë ndihmon në diagnostikimin e hershëm të pacientëve për problematika të ndryshme të lëkurës, nga nishanet, lezionet, njollat etj.
Prof. dr. Ermira Vasili u shpreh se dermatoskopi është një aparat që përdor dritën e polarizuar bashkë me kompjuterin, në të cilin ruhen të gjitha imazhet e pacientit që kërkon të kontrollojë nishanet apo njollat e ndryshme.
“Gjatë kontrollit që e bëjmë një herë në gjashtë muaj, një herë në vit në varësi të problematikës që e vendos mjeku, ne i kemi imazhet e ruajtura dhe shohim çfarë ndryshimesh ka pësuar ky nishan”, tha Vasili.
Drejtori i përgjithshëm i QSUNT-së në Tiranë, Florenc Spaho nënvizoi se “ky aparat diagnostikon në kohë, bën të mundur një bashkëpunim midis disa specialiteteve si dermatologjisë, onkologjisë dhe kirurgjisë plastike”.
“Fokusi i Qeverisë shqiptare është që ne të investojmë në infrastrukturë edhe në teknologji. Të shpëtosh një jetë të bën hero, ta bësh atë përditë të bën mjek ose infermier”, përfundoi Spaho.
Shërbimi i dermatologjisë në QSUNT trajton çdo ditë raste të pacientëve që kërkojnë ndërhyrje të specializuar.