Tuesday, November 26, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTKULTURE“Shën Maria” e Niçës

“Shën Maria” e Niçës

Kisha e Shën Marisë në Niçë, Pogradec eshte nje nga xhevairet e arkitektures kishtare ne Shqiperi. DRTK Korçë informon se kisha është rishpallur monument kulture në vitin 2015 dhe daton në shek. XVIII. Sipas studimeve, Kisha Shën Mërisë në Niçë ka pasur tre faza ndërtimi: 1878-ndërtimi i naosit 1940 -ndërtimi i narteksit Këmbanarinë dhe rindërtimin e murit përendimor rreth 1940 Objekti përbehet nga naosi dhe narteksi me kullën e këmbanares. Në pjesën perëndimore të kishës, intersektohet në planimetri kulla e cila duhet të ketë qënë kambanari. Eshtë një nga pjesët më interesante, pasi ngrihet në gati trefishin e lartësisë të kishës. Në mungesë të mbishkrimit mendohet se ajo i përket pjesës së parë të shek.XV. Në shek.XIII u përhapën kishat me këmbanari druri (Ristozi, Mitropolia ). Naosi është një ndërtim bazilikal triapsidal. Dy rradhë kollonash prej druri e ndajnë atë në tre nefe, por që nuk kanë arritur të krijojnë ndonjë ndarje të dukshme hapësinore të sallës . Përmasat e brendshme në plan janë 11.10 X 6.90 m. Naosi është i mbuluar me tavan dërrase, i cili përmban në pjesën qendrore një thellim në formë kësule sferike, imitim i hapësirës qendrore me kupolë. Gjithashtu krijimi i një hapësire tërthore nëpërmjet zgjerimit të naosit nga dalja jashtë e dy apsidave anësore, e ka dobësuar përshtypjen e shtrirjes gjatësore të sallës dhe të prezencës së aksit gjatësor të sallës gjatë së cilës janë vendosur apsida lindore dhe porta e hyrjes në murin përendimor. Edhe në ambientin e altarit nuk krijohet ndonjë ndarje hapësinore ndërmjet bemës me apsidën e madhe rrethore të nxjerrë jashtë dhe dy pjesëve anësore, protezisit me dy nike dhe diakonikonit. Në anën perëndimore naosi komunikon me narteksin. Hyrja në anën veriore të narteksit e ka ndërprerë aksin gjatësor të naosit tek muri përendimor i tij, pa arritur të shtrihet edhe gjatë narteksit . Në pamjen e jashtme lartësia e muraturës është e vogël, kështu që mbizotëron masa e gjerë e çatisë katërujëse e mbuluar me rrasa guri. Çatia i shtrin flegrat saj tej rrafshit të mureve duke mbuluar dhe apsidat. Kjo dalje e madhe e strehëve të çatisë mbahet nga pajanta të mbështetura mbi një brez druri që përshkon gjithë muraturën në anën veriore , lindore dhe jugore. Si elemente dekorative janë përdorur kornizat prej guri të vendosur në formë dhëmbësh sharre në disa rradhë, të cilat përfundojnë apsidat , ndërsa përkujdesja në përpunim e elementëve konstruktivë të strehëve të çatisë e ka pasuruar trajtimin e jashtëm arkitektonik. Për sa i përket ndryshimeve në aspektin urban dhe natyror të kishës së bashku me rrethimin e saj dhe natyrën përreth, dihen nga të dhënat që në vendin ku sot ndodhet Kisha e Shën Marisë mendohet të kenë qënë rrënojat e një kishe te vjetër, por mbasi fshati u dogj nuk ngelen gjurmë të saj. Përpara ndërtimit të Kishë së sotme, në anën perëndimore të kishës ndodhej një lis, i cili në ditët e sotme është me diametër rreth 6m. Në shekullin XVIII rindërtohet kisha e Shën Mërisë (kjo sipas të dhënave të marra nga banorët e fshatit Niçë). Në disa raste thuhet se kisha është shfrytezuar edhe si kullë vrojtimi. Në terrenin përreth të kishës varrosen dhe priftërinjtë që shërbejnë në Kishë. Varrezat e para janë ato të tre priftërinjve të parë të cilët kanë shërbyer në kishë dhe më pas varrezat e banorëve të fshatit. ATSH

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments