Shërbimet e Shtetësisë dhe Emigracionit të SHBA-së (USCIS) thanë se ndryshimi do të lejonte kontrolle më të shpeshta të shtetasve të huaj.
“The Wall Street Journal” raportoi se masa prek qindra mijëra njerëz dhe gjithashtu ndikon në kompanitë që mbështeten te azilkërkuesit me leje pune, duke përfshirë kompanitë e paketimit të mishit.
Emigracioni ka qenë një fokus qendror i administratës së presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare, gati 2 milionë njerëz janë larguar nga SHBA-të që kur Trump mori detyrën në janar, duke përfshirë 530 000 deportime dhe 1,6 milionë njerëz që u vetëdeportuan vullnetarisht.
Administrata ka thënë se synon të rrisë deportimet në 600 000 deri në fund të vitit.
Shtëpia e Bardhë i përshkroi largimet si pjesë të “deportimeve masive” të vazhdueshme.
Në shumë qytete, shpesh të qeverisura nga demokratët, oficerët federalë të Emigracionit dhe Doganave (ICE) kanë vënë në shënjestër emigrantë, të dyshuar si kriminelë.
“The Washington Post” raportoi se në kryeqytetin e Uashingtonit, 80% e të arrestuarve nuk kishin dënime të mëparshme.
Më 11 gusht, Trump shpalli një emergjencë të sigurisë publike në Uashington, duke pretenduar se qyteti ishte pushtuar nga banda të dhunshme dhe kriminelë të etur për gjak.





